Njihuni me disa nga pikat kyçe të platformave të fushatës në zgjedhjet gjermane të 24 shtatorit dhe dallimet në qasjen midis partive kryesore: socialdemokratët e qendrës së majtë (SDP) nën drejtimin e Martin Schulz dhe kristiandemokratët e kancelares, Angela Merkel (CDU) dhe aleatët e tyre bavarezë të Unionit Kristiansocial (CSU).

TATIMET

CDU / CSU ka ofruar shkurtime tatimore që do të përfshijnë rritjen e tatimit mbi të ardhurat më të larta prej 42 për qind në 60 000 euro në vit (71 200 dollarë), në vend të 52 000 eurove që janë aktualisht, “super të pasurit” (beqarët që fitojnë më shumë se 232 000 euro) do të tatohen me normën prej 45 për qind.

Blloku politik i kancelares ka premtuar gjithashtu se deri në vitin 2020 do të shfuqizojë ligjin për taksën e solidaritetit mbi të ardhurat, që është përdorur për të rindërtuar ish-Lindjen komuniste.

Prioriteti i SPD-së është që të sigurojë lehtësime tatimore ndaj të ardhurave të ulëta dhe të mesme duke rritur nivelin e tatimit mbi të ardhurat më të larta prej 76 200 euro në vit, krahasuar me nivelin aktual prej 54 000 euro dhe për të rritur normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat nga 43 në 45 për qind.

Përveç kësaj, partia kërkon t’i japë fund taksës së solidaritetit për personat me të ardhura të ulëta deri në vitin 2020.

MBROJTJA/SIGURIA PUBLIKE

CDU/CSU është zotuar se do të krijojë 15 000 vende pune për oficerët e policisë në të gjithë vendin.

Gjithashtu, SPD-ja ka premtuar se do të punësojë edhe 15 000 oficerë policie të tjerë.

MIGRIMI

CDU-CSU ka propozuar një ligj të ri të emigracionit për punëtorët e kualifikuar për të ndihmuar dhe shërbyer në fuqinë punëtore të vendit.

Gjithashtu, SPD-ja ka premtuar se do të hartojë një ligj të ri të emigracionit me një sistem çështjesh përgjatë linjave të skemave që veprojnë në Australi dhe Kanada, në mënyrë që Gjermania të marrë vetëm emigrantët që dëshiron.

PAPUNËSIA

CDU-CSU ka premtuar punësim maksimal deri në vitin 2025 përgjatë një norme papunësie prej 3 përqindësh, sigurimi i vendeve të punës është një nga pikat kryesore të programit zgjedhor të Merkelit.

SPD-ja kërkon që të gjithë ata që humbasin vendin e tyre të punës dhe që nuk janë në gjendje të gjejnë punë brenda tre muajve të kenë të drejtën për një trajnim të mëtejshëm, përcjell Atsh.

MBROJTJA

CDU-CSU është angazhuar në rritjen e buxhetit të mbrojtjes nga 1,26 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në 2 për qind deri në vitin 2024, në përputhje me përgjegjësitë e NATO-s, siç është kërkuar nga aleatët e saj, sidomos nga SHBA-ja.

SPD-ja është kundër rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes në 2 për qind dhe në vend të kësaj kërkon të përdorë fondet për rritjen e shpenzimeve për shkollat dhe projektet e infrastrukturës kombëtare.