Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se menjëherë do të dakordohej për negociata me Korenë Veriore.

“Menjëherë do të thosha po, në qoftë se na pyesin t’i bashkangjitemi negociatave”, theksoi Merkel për javoren gjermane “Frankfurter algemajne sontagcajtung”.

Ajo iu referua modelit të negociatave midis gjashtë forcave botërore me Iranin nga viti 2015.

“Mund të paramendoj format të tillë për marrëveshje me Korenë Veriore. Evropa, posaçërisht Gjermania do të duhet të përgatitet që të japë kontribut aktiv”, potencoi Merkel.

Kancelarja deri tani bisedë telefonike kishte me liderët e Francës, SHBA-së, Kinës, Koresë Jugore dhe Japonisë për krizën me Korenë Veriore, ndërsa nesër është paraparë të bisedohet me presidentin e Rusisë.

Paraprakisht, SHBA-ja dorëzoi propozim-rezolutë nga Këshilli i Sigurimit në të cilin kërkojnë embargo nafte për Korenë Veriore, ndërprerje të eksportit të tekstilit dhe bllokim të llogarive bankare të liderit koreanoverior Kim Xhong-un. Propozim-rezoluta tanimë e mori mbështetjen nga Britania e Madhe dhe Franca.

Supozohet se Rusia dhe Kina do të votojnë “kundër propozim-rezolutës për vendosje të sanksioneve plotësuese ndaj Phenianit.

Merkel theksoi se mbështet sanksione si mënyrë për fillim të negociatave me Korenë Veriore.