Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me Shefen e Misionit Mbikëqyrës të OSBE-ODIHR, Dame Audrey Glover.

Temë e bisedës ishte situata politike në vend si dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 15 Tetor.

Në takim Kryetari Thaçi vlerësoi se partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje duhet të tregojnë vullnet politik dhe respektimit të normave dhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, duke theksuar se zgjedhjet e 15 Tetorit do të jenë testi i radhës për Maqedoninë në përmbushjen e këtyre standardeve, ku përgjegjësinë kryesore e mbajnë partitë në pushtet.

Kryetari Thaçi gjithashtu potencoi se akoma nuk ka ndarje të vërtetë të shtetit nga partia dhe se partitë në pushtet vazhdojnë të shfrytëzojnë dhe keqpërdorin administratën dhe resurset shtetërore, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë që të garantohen zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjedhjet lokale të 15 Tetorit duhet të jenë korrekte, të besueshme dhe demokratike, për ta rikthyer vendin në agjendën e integrimeve euro-atlantike.