(Disa fjalë rreth shkrimit me titull “Vajzat shqiptare detyrohen me dhunë nga prindërit të regjistrohen në medrese!” të autorit  Nexhat Haziri, publikuar në portalin “Maqedonia Shqiptare”)

 

Autori N. H. nga shkrimi i vet krijon përshtypjen se sapo ka dalë nga ndonjë ndejë e ateistëve dhe e antiislamistëve me plotë fobi! Ndryshe, nuk e besojmë se do të mund të kishte një përshtypje të tillë për qindra mijëra gra shqiptare që për veshje e praktikojnë edhe shallin dhe mantilin! Këto gra shqiptare, pa dyshim që janë nëna të mrekullueshme, janë motra që na bëjnë të ndjehemi krenarë, janë gra që janë kallëpi i moralit tonë, ashtu siç janë edhe ato nëna, motra e gra tonat që nuk e praktikojnë këtë lloj veshjesh.

Nga ato gra të mbuluara, që janë shtylla të kombit (ngjashëm si  të tjerat, të zbuluarat), ne sot kemi qindra intelektualë të kalibrit të lartë, nënat tona të mbuluara (që nuk dallojnë nga ato motrat tona të Medreseve) kanë kalitur trima e heronj kombëtarë, kanë kalitur sportistë e mendjendritur që na bëjnë të qëndrojmë ballëlartë anekënd Botës.

Nuk e kemi të qartë se prej nga kjo bindje e autorit N. H. se Medresetë tona po prodhuakan femra të denja për jetë në Kandahar e gjetiu! A i ka vizituar ndonjëherë autori në fjalë Medresetë tona! A ka komunikuar ndonjëherë me këto vajza, a e ka gjetur qoftë një deklaratë që flet se janë regjistruar për shkak të trysnisë familjare! Le të na e thotë qoftë vetëm një emër të një nxënëse e cila është regjistruar me dhunë, dhe ne, si Institucion, do ta luftojmë pa pardon një dukuri të tillë shumë të shëmtuar.

Medresetë janë shkolla të mesme dhe, sot, shkollat e mesme nuk janë bazë për punësim e për prosperim por fakultetet. Askush nuk i pengon medresantet tona që të vazhdojnë nëpër fakultete të ndryshme, të regjistrohen në po ato fakultete për të cilat kanë afinitete! Pra, mund të regjistrohen edhe në mjekësi, në arkitekturë, në makineri, në turizëm, ku të kenë dëshirë.

Nga Medresetë tona sot kemi mjekë, inxhinierë, stomatologë, kemi politikanë, kemi deputetë, kemi gazetarë, pedagogë etj. Natyrisht, Medresetë tona janë vatra arsimore nën përkujdesin dhe mbikëqyrjen e Bashkësisë Fetare Islame, e cila natë e ditë bën përpjekje për t’i akredituar! Popullata jonë ka nevojë edhe për “hoxhanica” siç mund të ketë nevojë edhe për “motra nderi”! Është vetë Bashkësia Fetare Islame ai Institucion që harton veç tjerash edhe politika kadrovike për nevojat e popullatës myslimane, nënvizojmë, ekskluzivisht për nevojat e popullatës myslimane. Nuk u përzihet në politika përkatësve të konfesioneve të tjera ashtu siç nuk do të pëlqente që t’i përzihen as të tjerët, ose edhe ateistët! Sa për informim të autorit N. H., po ky Institucion që kujdeset edhe për “hoxhanica”, pra Bashkësia Fetare Islame në RM, ka fondin e vet nga i cili ndanë bursa studentësh si dhe për nxënësit e shkollave të mesme ekskluzivisht që mësojnë dhe studiojnë nëpër vatra arsimore që prodhojnë mjekë, inxhinierë, kuadro nga shkencat informatike, teknologjike, etj, etj. Sepse, popullata jonë ka nevojë për profile të ndryshme, pra, edhe për profile të atyre mësimeve që kërkojnë një disiplinë dhe pedanteri uniforme, gjithmonë me shpirt të pastër e me dinjitet të lartë.

Urojmë që autori N. H. të shkundet nga bindjet e veta sa të përcipta aq atesite e islamofobe, të zbresë në tokë të bukës dhe të përkulet para diversitetit profesional e fetar të familjes së madhe shqiptare. Nuk është mirë t’i përfol me kaq negativitet motrat tona medresante, sepse, nuk i dihet, nesër mund të ndodhë që pikërisht vajza e autorit të kërkojë që të regjistrohet në Medrese. Jetë është kjo, nuk i dihet…

 

Beqir MEMETI

Koordinator i Medresesë Isa Beu në Tetovë