Për të bllokuar referendumin për vetëvendosjen që separatistët kërkojnë të organizojnë më 1 tetor në Katalonjë, qeveria spanjolle mbylli ”rubinetin” financiar, nga i cili varet ky rajon madje duke ngritur dyshime dhe për pagesat e funksionarëve.

“Kjo është një papërgjegjshmëri totale. Ata po na çojnë drejt një kolapsi administrativ”, theksoi dje zëvendëspresidenti i qeverise katalanase, Oriol Junqueras duke e cilësuar si një masë të pazakontë.

Ekzekutivi katalas depozitoi një kërkesë në Gjykatën Supreme për të kundërshtuar vendimin e njoftuar të premten e kaluar nga qeveria spanjolle në lidhje me vendosjen e një sistemi të ri për kontrollin e shpenzimeve të Katalonjës për të shmangur që ato të mos shërbejnë për financimin e aktiviteteve të paligjshme ashtu si referendumi i ndaluar.

“Por, kjo lloj kërkese nuk është kurrë pezulluese, masat e marra nga qeveria janë tashmë në fuqi”, theksoi një zëdhënës i Gjykatës Supreme.

“Ky është një pezullim de facto i autonomisë financiare të Katalonjës”, analizon Alain Cuenca, specialist për financimin e rajoneve në Universitetin e Saragosës.

Tashmë, Madridi do të refuzojë të hedhë para në llogari të qeverisë katalanase, por do të paguajë drejtpërdrejt faturat e shërbimeve kryesore, spitale, shkolla, policia, rreth 1,5 miliardë euro në muaj, përcjell Atsh.

“Kjo do të thotë se duke nisur që tani, drejtuesit katalanas nuk disponojnë më paratë e tyre (…) Ata duhet të kryejnë një mbyllje të thesarit dhe nuk kanë më të drejtë të bëjnë asnjë shëenzim shtesë, në raport me ato të parashikuara tashmë”, theksoi një zëdhënës i Ministrisë së Buxhetit.