Presidenti francez, Emanuel Makron sot në Nju-Jork shprehu dëshpërim për shkak të vendimit të SHBA-së për tërheqje nga Marrëveshja për klimën, e cila u arrit para dy vitesh në Paris.

“Shpreh keqardhje për shkak të vendimit të SHBA-së për tërheqjen nga Marrëveshja, por dialogu me presidentin amerikan, Donald Tramp vazhdon, pasi që jam i bindur se në fund do ta kuptojë se është edhe në interesin e tij dhe se është edhe në interes të amerikanëve të jenë pjesë e Marrëveshjes së Parisit”, tha Makron në konferencën për shtyp në selinë e KB-së.

Makron theksoi se Marrëveshja e Parisit për klimën paraqet kornizë të rëndësishme dhe bazë të domosdoshme për ballafaqim me ndryshimet klimaterike dhe paralajmëroi se më 12 dhjetor Franca do të jetë nikoqire e takimit të kreut me rastin e dyvjetorit të miratimit të marrëveshjes.