Maribori e ka mposhtur 3:2 skuadrën e Aluminij ku shënuan dy shqiptarët, Valon Ahmedit dhe Francesco Tahiraj.

Valon Ahmedi shkëlqen me një gol dhe një asist në javën e 10-të të kampionatit slloven.

Mesfushori i kombëtares shqiptare i cili ishte një nga risitë e grumbullimit të fundit të kuqezinjve duke debutuar në sfidën ndaj Lihtenshtejnit, ishte përcaktues në fitoren e Mariborit në udhëtimin e vështirë ndaj Aluminij.

Kjo ndeshje, e cilësuar si derbi shqiptar mes Valon Ahmedit dhe Francesco Tahirajt, me 2 kuqezinjtë që gjetën rrugën e rrjetës, përfundoi me suksesin 3:2 të miqve.

Ishte pikërisht i 21-vjecarit nga Vlora goli i avantazhit provizor të Aluminij në pjesën e parë me Tahirajn që realizoi një gol të bukur në të 15-të.

Por finalizimi ish lojtarit të kombëtares shqiptare të 19-vjecarëve, nuk u mjaftoi vendasve sepse në të 65-tën Ahmedi i shërbyer nga braziliani Tavares realizoi golin e parë në këtë sezon duke barazuar shifrat.

Nuncic 4 minuta më vonë i dha sërish epërsinë Aluminij, por në të 74-tën Ahmedi  me një harkim perfekt nga këndi gjeti kokën e qendërmbrojtësit Billong që i çoi shifrat në 2-2

Goli i Hotic në të 89-tën ndërkohë i dha 3 pikët Mariborit që me këtë sukses u ngjit në krye të klasifikimit në kampionati slloven.