Kandidati i Koalicionit PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR) për kryeministër, Ramush Haradinaj, bashkë me përfaqësues të partive të koalicionit, ka zhvilluar  djenjë takim disaorësh me drejtues të Listës Serbe.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Sipas burimeve të afërta me palët pjesëmarrëse në takim, palët kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për shkak se Lista Serbe po kërkon më shumë poste udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës.

Fakti që AKR-ja e Behgjet Pacollit, e cila i ka vetëm 4 deputetë në Kuvendin e Kosovës, i ka marrë pesë ministri, një zv.kryeministër dhe shtatë zv.ministra duket se e ka nxitur Listën Serbe, e cila i ka 10 deputetë në Kuvend që ta rrisë “pazarin” dhe të kërkojë më shumë poste, shkruan Illyria.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, ka deklaruar për Televizionin Dukagjini, se Lista Serbe po kërkon më shumë poste, gjë që mund ta prekë direkt AKR-në.

“Ndoshta Pacolli duhet të heqë dorë nga një post dhe të shkojmë përpara”, ka thënë Shala.

Sipas marrëveshjes së arritur mes koalicionit PAN dhe AKR-së, kësaj të fundit do t’i takojnë t’i drejtojë 5 ministri: Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.