Në mesnatë Kuvendi duhet të mbyllë leximin e parë të propozim Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërkohë mbi 35 deputet të opozitës akoma nuk kanë shfrytëzuar të drejtën e fjalës. Deputetët e shumicës dhe ata të Lëvizjes Besa kanë hequr dorë nga fjalimet. Për shkak të konventës së VMRO DPMNE-së për zgjedhjet lokale, nuk përjashtohet mundësia që edhe deputetët e opozitës të tërhiqen nga fjalimet dhe me këtë shumica të votojë nevojën për propozim-ligjin për gjuhët. Edhe në debatin e sotëm deputeti i VMRO DPMNE-së Milloshovski akuzoi zyrtarët e BDI-së për përfshirje në afera kriminale.

Në Komunën e Çairit ka të paktën 30 persona të cilët marrin rroga, janë të afërt me kryetarin ose tjetër funksionar të Komunës, por nuk shkojnë në punë. Kemi informacione se për një numër të madh të punësimeve në Sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit, nga njerëzit që i njoh në Kërçovë dhe vendet tjera, janë detyruar të paguajnë nga 4 apo 5 mijë euro që të punësohen si shqiptar në Sekretarit, gjë që i takon me ligj. Përse nuk është paraqitur në listën anketuese shtëpia e re e kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti të cilën e ka ndërtuar në Butel, shtëpi shumë e shtrenjtë dhe shumë e bukur – deklaroi  Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Ejup Alimi nga BDI, kërkoi nga kolegu i tij Milloshovski që dyshimet për afera kriminale t’i denoncojë jashtë Kuvendit, duke mos e keqpërdorur imunitetin e deputetit.

Po ta kishe guximin të i thuash këto që i thua, do të dilje Para Kuvendit, Parlamentit ose Prokurorisë dhe para gazetarëve do t’i thoshe këto dyshime. Jeni dëshmitar se ky deputet frikacak keqpërdor këtë foltore duke e ditur se nga këtu nuk mund të procedohet penalisht për shpifje. Nëse ke guxim, dil, thirri edhe gazetarët dhe deklarohu për Izet Mexhiti, për Ramiz Merkon dhe për të gjithë tjerët për të cilët mendon se ka dyshime – tha  Ejup Alimi, Deputet i BDI-së.

Kuvendi nuk do të mbajë seanca plenare deri pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Në këtë kuadër do të punojnë vetëm gjysma e Komisioneve Parlamentare, duke pushuar kështu edhe Komisioni për mbikëqyrjen e punës së DSK-së dhe Agjencisë së Inteligjencës si dhe Komisioni për monitorimin e zbatimit të masës së veçan hetuese. Funksionimi normal i Kuvendit do ta vazhdojë nga muaji nëntor./alsat-m