Nga Arian Galdini
I dashur Nebi,
U bënë disa ditë qyshse ne të dy jemi në luftë totale ndaj njëri – tjetrit për mënyrën sesi i mendojmë punët e Opozitës në Shqipërinë tonë të dashur.
Jemi në një luftë të pabarabartë ngase ti je antropologu ndërsa unë jam Kryetari i një partize të vogël Opozitare, dmth ti je studiuesi e unë jam subjekti yt i studimit, ti je njeriu i Tryezës me libra ndërsa unë jam ai i Tryezës plot me Kryetarë të paditur, të pashkolluar, të ngrefosur dhe kapçatkapistë të pandreqshëm të Koalicionit Opozitar.
Ti e ke të lehtë na shohësh e shqyrtosh neve. Ndërsa ne raca e Kryetarëve të Partive, nuk kemi fare sy e mendje për ty, e kësisoj as të shquajmë dot fare.
Madje sa më shumë libra të shtosh ti në Tryezën tënde të punës, qofshin këta libra të lexuar prej teje, qofshin libra të shkruar prej teje, aq më i pavëreshëm je për ne.
E mban mend atë historinë me gjelin Akademik që na e ka treguar Prof. Afërdita Onuzi?
Ja kështu jeni ju njerëzit e librave për ne njerëzit e politikës. Jeni si ai gjeli Akademik që nuk na kryeni hiç punë neve të politikës.
Ju madje jeni edhe të bezdisshëm e të padëshiruar, sepse vuani nga një sëmundje e pashërueshme dhe me prirje epidemike. Ju vuani nga dituria.
Kush vuan nga sëmundja e diturisë ka në përgjithësi edhe dy simptoma me rrezikshmëri të lartë publike sikurse janë mendimi dhe pasioni për shpërndarjen e diturisë.
Mendimi është si homoseksualizmi, sepse është edhe simptomë sëmundje edhe mëkat.
Shoqëritë si kjo e jona, nuk e pranojnë as sëmundjen dhe as mëkatin e të menduarit.
Kush mendon, duhet futur në karantinë ose duhet veçuar, linçuar, sharë, mallkuar pa asnjë mëshirë.
Dhe karantinën apo linçimin a diskriminimin e atyre që vuajnë nga sëmundja a mëkati i të menduarit, nuk e dënojnë, përmendin, kritikojnë apo njohin si kategori, as Institucionet vendore a ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Për karantinën, linçimin a diskriminimin e atyre që mendojnë, nuk ka matricë e raport ndërkombëtar që shkruan.
Siç duket, janë të gjithë të njëmendësuar se ata që mendojnë, e meritojnë gjithçka që u ndodh.
Të thëna këto sa më sipër, ja ku po ta ripërsëris, se ne Kryetarët jemi shtresë e lartë. Ne kemi vula, ne firmosim. Ne nuk kemi njerëz, por siglat, firmat, vulat dhe fytyrat tona u duhen ca Kryetarëve më të mëdhenj se ne.
E ç’jeni ju shkencëtarët që mendoni, studioni, shkruani, para neve Kryetarëve që as mendojmë, as lexojmë, as kemi shkollim, por ama kemi sigla, firma, vula dhe fytyra për tua dhënë ca Kryetarëve më të mëdhenj.
Shqipëria është vendi i Kryetarëve, e nuk ka as kohë e as nevojë për ju shkencëtarët.
Ikni ore shkruani e studioni në vende të tjera, atje ku libri nuk konsiderohet si marranqafës.
Këtu librat të marrin në qafë.
Ja psh, ti e di që unë jam babai i dy djemve, Davidit dhe Martinit.
Po ti edukoj e rris mes librave dy djemtë e mij, sikurse ma ka ënda, e di që është njëlloj si ti bëj të “mallkuar” për kohët që po vijnë.
Për fatin tim të keq, unë jam si lugati, sepse jetoj mes 2 botëve, jam edhe Kryetar Partie edhe Pedagog në universitet e njeri librash.
Ky ështê edhe shkaku pse unë jam Kryetar dështak. E ndoshta andaj të kam shpallur luftë ty, që të bëj armik edhe atë njeriun e librave dhe katedrës së universitetit brenda meje.
Do ta bëj të pakompromis këtë luftë me ty.
Mbase, po të luftoj kundër teje, bëhem Kryetar si ata kolegët e mij të Tryezës së Kryetarëve të Partive. Vijnë ditë të tilla kur njerëz si unë ndriçohen e kuptojnë se duhet të bëjnë luftë me njerëz si ty, që të bëjnë hajër e të pranohen paskëtaj pa rezerva në Tryezën e Kryetarëve.
Ç’të bëj tjetër? Po ti rris djemtë e mij si vetja pra me virtyte, ndershmëri, mund, sakrifica, moral e libra, mund të vij një ditë që djemtë e mij të më urrejnë mua, pse i kam veçuar nga bota e koha.
Po ti rris si bota dhe koha, pra pa virtyte, pa libra, pa ndershmëri, pa moral, me siguri që do të jem unë ai që nuk do të urrej dot djemtë e mij, por do të urrej atë që ata do të bëhen. Këahtu që, nuk më ka mbetur zgjidhje tjetër.
Para se të më rriten djemtë duhet ose të iki nga Shqipëria, ose të luftoj kundër teje si simboli i njeriut të librave, qe paskëtaj unë të shpresoj të pranohem në Klubin e Kryetarëve Kaqola të Partive.
Dua të bëhem kaqol edhe unë, i dashur Prof. Nebiu. Shoh se për tia dalë mbanë në vendin tonë, duhet të jesh kaqol.
Kush nuk është kaqol, ose vuan e rri, ose ngre plaçkat e ikën prej këtij vendi.
Kaqolat bëhen deputetë, ministra, udhëheqês, drejtorë, e kështu me rradhë.
Sapo kemi hyrë në epokën e Kaqolkracisë.
Ti më thua mua Kryetarit të Partizës Opozitare dhe Aleatit të Lulzim Bashës, se Opozita më e mirë në Shqipëri është koha.
Unë nuk e pranoj dot këtë. Dua që Opozitën ta bëjmë ne njerëzit ndërsa koha të na gjykojë.
Po e lamë kohën edhe OpoItë edhe Gjykatëse, atëherë çfarë na mbetet neve njerëzve tjetër për të bërë?
Apo të bashkëqeverisim të gjithë me Edi Ramën?
Të lutem, mos e mer në qafë Opozitën dhe Liderin tonë Lulzim Basha, duke ua ripërseritur këtë tezën e kohës si Opozitë dhe Gjykatëse.
A e kupton dot ti, se ju antropologët ende nuk keni bërë asnjë ekspeditë studimore në Kapitolin e Shqipërisë, pra në Kuvendin e Kaqolkracisë?
Shkoni në Kuvend a Kaqolland dhe flisni me deputetët kaqola. Njihuni me ta, studiojini ata dhe në fund do të mbërrini në konkluzionin se koha ka kuptim për mendje punëtore.
Për kaqolat koha është shtyje ta shtyjmë e kap ça t’kapësh.
Kaqolat e Opozitës votojnë për Gramoz Ruçin dhe e quajnë fillimisht manipulim e pastaj e shpallin si shitblerje.
A e di pse e bëjnë këtë?
Sepse kush ka fuqinë të manipulojë, i mer të gjitha vetë. Ndërsa po u shpall si shitblerje, nënkuptohet se plaçka ndahet.
Po vazhduan edhe pak kështu, kaqolat do ti bëjnë vetting dhe kohës dhe do tia shpallin lëvizjen përpara si pasuri të pajustifikuar.
Në epokën e Kaqolkracisë, koha është vetëm afat plaçkërjeje, e aspak proçes jetësor a filozofik.
Në epokën e Kaqolkracisë, jeto osh qef…
Yti,
Arian Galdini
Kryetar Partie Opozitare