Të enjten ose më së largu të premten do të mbahet vazhdimi i seancës themeltare, ku pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët.

Këtë e ka thënë Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e që është në koalicion me PDK dhe Nismën për Kosovën.

Lekaj tha për RTK se java e ardhshme do të jetë vendimtare kur vendi do ta ketë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët duke i hapur rrugë kështu që kandidati për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj, të mandatorët për shef të ekzekutivit.

Deputeti i AAK-së tha se janë afër një marrëveshjeje për bashkëqeverisje me AKR-në e Behgjet Pacollit, por pa treguar se kur zyrtarisht mund të nënshkruhet një e tillë.

Për përafrim qëndrimesh dhe detaje ndërmjet PAN-it dhe AKR-së, Lekaj tha se për këtë çështje është përgjegjës të flasë vetëm kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, meqë sipas tij, ai është i përfshirë direkt në këtë proces.

Lekaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që në fillim të javës zyrtarisht të ketë një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet PAN-it dhe AKR-së e që do t`i jepte fund krizës politike të krijuar tash e tre muaj.

Ky zyrtar i AAK-së tha se Kosova ka humbur mjaft kohë në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Por, Lekaj tha se kjo do të kompensohet me punën që pritet ta bëjë kryeministri në ardhje Ramush Haradinaj.

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, që ende zyrtarisht është në koalicion parazgjedhor me LDK-në e Alternativën, disa herë ka thënë se AKR nuk do të mbetet pafundësisht pengesë për bllokimin e institucioneve të reja.

Thirrje për krijimin sa më shpejt të Kuvendit dhe Qeverisë ka bërë edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie.

Kërkesë të tillë drejtuar liderëve të partive politike kanë bërë edhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.