Komuna e Prishtinës dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes projektit Mbështetje Përpjekjeve Kundër  Korrupsionit (SAEK II), do të lansojnë sistemin elektronik për menaxhimin e subvencioneve për kulturë, rini dhe sport, të martën, më 5 shtator, në ndërtesën e komunës së Prishtinës, me fillim në ora 10:00.

Projekti SAEK ka ndërtuar mekanizma të fuqishëm të transparencës dhe llogaridhënies në komunat partnere, ku një nga metodat e saj është digjitalizimi i shërbimeve publike në mënyrë që të zvogëlohet numri i pikave të ndjeshme ndaj korrupsionit në procedurat ekzistuese. Projekti ka punuar ngushtë me komunën e Prishtinës në këtë aspekt dhe e konsideron komunën si një partner kryesor në luftën kundër korrupsionit.  Ngjarja e nesërme është një tjetër nismë që synon të rris transparencën dhe llogaridhënien në nivel lokal për ofrimin e shërbimeve publike dhe krijimin e kushteve të nevojshme për qeverisje më pjesëmarrëse në nivel lokal.

Në ngjarje do të marrin pjesë zyrtarë komunal dhe të UNDP-së.

Projekti SAEK II financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Daneze e Zhvillimit (DANIDA).