Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta vazhdojë mbledhjen e 12-të në të cilën duhet të diskutohet për Propozim-ligjin për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominuese të shtetit.

Ligji është parashtruar nga deputetë nga shumica parlamentare, ndërsa me të pritet të zgjidhet statusi i falimentuesve të cilët nuk ishin përfshirë me ligjin e kaluar.

Në rend dite të kësaj mbledhje janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale parashtruar nga grupi i deputetëve.

Në kuadër të mbledhjes së 12-të janë edhe Propozim ligji për plotësim të Ligjit për pagesë të rrogave në Republikën e Maqedonisë, Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ekzekutim dhe Propozim ligji për dhënie të kuponave me vlerë – vauçerë, parashtruar nga opozita.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, deputetët duhet ta vazhdojnë mbledhjen e 15-të në rend dite të së cilës janë Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve. propozim-ndryshimet e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase, Propozim-ligji për ndërprerje të rëndësisë së Ligjit për artistin kombëtar të Republikës së Maqedonisë dhe Propozim ligji për dhënien e kuponave me vlerë – vauçerëve, të gjithë në lexim të parë.

Deputetët do të diskutojnë edhe për punën e ministrave të Financave, Dragan Tevdovski, të Kulturës, Robert Allagjozovski dhe të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Sadulla Duraku.