Detaje të reja bëhen të ditura nga mediat greke lidhur me organizatën e drogës së shkatërruar në shtetin fqinjë. Në krye të saj ishte një 27-vjeçar shqiptar, i njohur me pseudonimin “Maradona”.

Aksioni

Policia greke ka asgjësuar një laborator të përpunimit të drogës, ndërsa ka sekuestruar dhe një sasi të madhe heroine. Përfundimi i operacionit është komunikuar të martën në mesditë, nga drejtori i sigurimit publik të Atikës, gjeneral major Christos Papazafeiris.

Sipas tij, në pranga janë vënë pesë persona, tre shqiptarë, mes tyre një femër, si dhe dy grekë. Të arrestuarit janë të moshës nga 19 deri 45 vjeç.

Laboratori funksiononte në një kamp romësh, në pjesën perëndimore të Athinës.

Policia ka sekuestruar më shumë se 23 kg heroinë, të ambalazhuar në 49 paketa me peshë afërsisht 500 gramë secila.

Gjithashtu është dhe një sasi prej 16,5 kg lëndë stimuluese që përdoret në përpunimin e heroinës, si dhe një sasi e vogël kanabisi, e paketuar në doza të vogla gati për shitje.

Sipas policisë, heroina e përpunuar në atë laborator, trafikohej në zona të ndryshme të Greqisë dhe kryesisht në Selanik, Patra dhe Larisa.

Madje janë gjetur dhe qese plastike bosh, por që kishin etiketa ku shkruheshin emrat e këtyre qyteteve.

Janë sekuestruar gjithashtu një furgon, një armë gjahu, një sasi e vogël parash, tetë celularë, etj.