Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka akuzuar deputetët e koalicioni PAN, për mosseriozitet ndaj institucioneve të shtetit, të cilët nuk u paraqiten në seancë në orën 11:00, atëherë edhe kur ishte paraparë nisja e seancës konstituive.

“Përsëritja e skenarit të mosparaqitjes së deputetëve të PAN-it tregon edhe njëherë mosrespektin e tyre për shtetin e Kosovës për qytetarët e Republikës së Kosovës, mungesën e seriozitetit për gjithë atë për çka qëndrojmë për vlerat e këtij shteti”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se ata të cilët arrijnë marrëveshje në gjysmë të natës, mund të paraqiten në seancë nëse kjo e fundit thirret poashtu në gjysmë të natës.

“ Nëse arrihen marrëveshje në gjysmë të natës, nëse prezantohen pazare në gjysmë të natës thirret seanca dhe kërkohet me dëshirën dhe vendimin e tyre që të jemi në ora 11:00 të gjithë këtu, që e duam shtetin e Kosovës dhe ata vet nuk paraqiten,  ndoshta duhet të thirret seanca në gjysmë të natës e ndoshta ata paraqiten”, tha ajo.

Sipas saj, lidhja e koalicionit pa asnjë vlerë programore, morale e etike, po përsëritet me mosparaqitje të deputetëve të koalicionit PAN në seancë.

Ajo tha deputetet e koalicioni LA, do të kthehen Kuvend sa herë që thirret seanca, duke ripërseritur se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryparlamentar, ashtu sikurse nuk do ta votojnë as Ramush Haradinajn për kryeministër. /KosovaPress.