Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook, ka uruar nxënësit për ditën e parë të shkollës.

Kurti ka uruar sidomos nxënësit e klasës së parë, duke shtuar se modeli i tyre nuk duhet të jenë injorantët që janë pasuruar me brutalitet, por ata që kanë sjellë përparim në shkencë, ekonomi, kulturë e shoqëri.

Ai ka shtuar se nëse do të ishte qeveria e Vetëvendosjes, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave.

“Sot është dita e parë e shkollës, dhe u uroj nxënësve, sidomos atyre që fillojnë klasën e parë, që ta përjetojnë me lumturi e gëzim këtë ditë të veçantë. Model i tyre nuk duhet të jenë injorantët që janë pasuruar me brutalitet, por ata që kanë sjellë përparim në shkencë, ekonomi, kulturë e shoqëri.

Në vizionin tonë shkolla dhe edukimi duhet të jetë rruga e përparimit tonë kombëtar, shoqëror e individual, dhe ashtu do të bëhet. Fatkeqësisht shkolla sot vuan mungesën e politikave që nxisin kreativitetin e nxënësit dhe angazhimin e mësuesit.

Shumë nxënës shkojnë në shkollë pa u ushqyer, dhe kjo ndikon në cilësinë e shkollimit të tyre. Po të ishte lejuar krijimi i qeverisjes së Lëvizjes, sot në gjithë Kosovën do të kishte filluar shpërndarja falas e kifleve, qumështit dhe frutave.

Megjithatë ajo ditë nuk është larg.

Edhe një herë, nxënës, mësues e prindër të nxënësve, gëzuar fillimin e vitit të ri shkollor, qoftë i mbarë për të gjithë ju!” ka shkruar Kurti në Facebook.