Krijimi i ambienteve kulturore dhe edukative për të rinj është një prej shtyllave kryesore të Strategjisë për zhvillimin e Çairit, dokumentit të njohur edhe si KONTRATA 2017-2022 të kandidatit të Bashkimit për Integrim për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu.

 Në dokumentin me 11 pika për zhvillimin katërvjeçar të komunës parashikohet ndërtimi i jo vetëm një qendre,  por edhe adaptimi i ambienteve të tre shkollave në mini-qendra kulture,  sipas konceptit kulturë për të gjithë dhe tek të gjithë, si edhe ndërtimi i një biblioteke.

 Në kapitullin Kultura dhe Arsimi prezantohen të detajuara edhe kostot financiare për këto projekte  që planifikohen të vihet në dispozicion, jo vetëm për ndërtimin e qendrës dhe bibliotekës, por edhe për intervenimet në tre shkollat e tjera. Për projektet në kulturës do të duhet të sigurohet një buxhet prej më shumë se 15 milionë denarë, ndërsa për bibliotekën 26 milionë denarë.

 “Ekzistimi i vendeve për tubimin e  rinjve mundëson zhvillimin e rekreacionit mes gjeneratave të reja, gjë që sjell edhe shkëmbimin  njohurive dhe rritjen e socializimit interaktiv. Me strategjinë e planifikuar parashikohet realizim i plotë i qendrave në rrugën Serrovë, në pozicion të objektit ekzistues të bashkisë vendore. I njëjti do të ketë karakter publik, me qëllim të afrimit të gjeneratave më të reja të komunës.

 Në mënyrë plotësuese, në pjesën e shkollave fillore ekzistuese ‘Jashar Bej Shkupi’, ‘Ismail Qemali’, ‘Liria’, parashikohet adaptimi i disa pjesëve të tyre në qendra, me qëllim që përhapja e tyre në komunë të jetë më e madhe”, thuhet ndër të tjera në Strategji.

 Për Çairin, të shënuar në hartën demografike të Maqedonisë si një prej komunave jo vetëm me shkallën më të lartë të dendësisë së popullsisë, por edhe për numër të lartë të banorësh e për rrjedhojë edhe të shtimit natyral pozitiv të popullsisë, investimet në kulturë dhe edukim nuk ka sesi të mos qëndrojnë të pozicionuara lart në listën e prioriteteve të kandidatit Visar Ganiu.

 Mungesa e qendrave të kulturës, apo edhe e bibliotekave është një prej tipareve dalluese jo vetëm të komunës së Çairit, por edhe për një pjesë të konsiderueshme të komunave me shumicë shqiptare. Ky hendikep është reflektuar në organizimin e jetës kulturore, manifestimeve dhe aktiviteteve të ndryshme artistike, të cilat rëndom zhvillohen në qendra jashtë komunës, ose edhe në ambiente të improvizuara, apo edhe brenda vetë objektit të komunës. Mungesa e qendrave ka qenë shkaku kryesor që komunat shqiptare janë privuar nga realizimi i projekteve dhe përfitimi i të hollave nga buxheti i shtetit për kulturën.

 Me qëllim që jo vetëm aktivitetet kulturore, por edhe koha e lirë të konsumohet në formën më produktive të mundshme, Kontrata parashikon edhe renovimin e disa komplekseve sportive, si edhe ndërtimin e disa të rejave, në formën e fushave sportive.  

 “Ekzistimi i qendrave të përbashkëta dhe hapësirave në të cilat banorët e një bashkësie mund të kalojnë kohën e lirë duke vëzhguar ose marrë pjesë në aktivitete sportive kontribuon në kohabitacionin më të suksesshëm të qytetarëve”, sqarohet në Kontratë.

Për organizimin e jetës së të rinjve dhe banorëve të zonës parashikohet rikonstruktimi i stadiumit dhe sallës sportive, pishinës, krijimi i qendrave sportive multifunksionale, rregullimin e dy fushave sportive në lagjet Fushë Tophanë dhe Gazi Babë, e të tjera.  Projektet për çdo sferë parashikohen që të realizohen gjatë katër viteve, që njëherazi do të shënojnë nisjen e një erë të re të komunikimit, zhvillimit dhe shndërrimit të Çairit në një qendër të madhe kulturore – artistike, edukative dhe sportive për të rinjtë dhe të gjitha moshat e tjera.