Me ftesë të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, së bashku me delegacionin qeveritar dhe përfaqësues të sektorit sipërmarrës prej sot deri më ditën e hënë do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Izrael, njoftojnë nga Shërbimi për informim i Qeverisë.

Në përbërje të delegacionit qeveritar, krahas kryeministrit Zaev janë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i bujqësisë, pyjeve dhe ujërave, Ljupço Nikollovski. Së bashku me delegacionin qeveritar, në suaza të kësaj vizite të rëndësishme në Izrael do të udhëtojnë edhe disa sipërmarrës dhe përfaqësues të kompanive nga industri të ndryshme të Maqedonisë.

Pjesa zyrtare e programit të vizitës fillon nesër kur kryeministri Zaev do të realizojë takim me kryetarin e Izraelit, Reuven Rivlin. Vazhdohet me vendosjen e kurorës në përmendoren përkujtimore të holokaustit, ndërsa më pas drekë pune me Këshillin izraelit për punë të jashtme, ku do të mbajë fjalim edhe kryeministri Zaev.

Dita e parë e vizitës do të përfundojë me forum të afaristëve Maqedoni-Izrael, që do të mbahet me temën “Përforcimi i bashkëpunimit afarist dhe ekonomik ndërmjet Izraelit dhe Maqedonisë”, ku fjalim do të mbajë edhe ministri i ekonomisë Bekteshi.

Ditën e hënë, kryeministri Zaev do të realizojë takim pune me kryeministrin e Izraelit, Benjanim Netanyahu si dhe me liderin e opozitës izraelite, Isaac Herzog.