Koreja Veriore ka paralajmëruar se është e gatshme të dërgojë më shumë “pako dhuratash” në SHBA nëse kjo e fundit vazhdon t’i bëjë presion regjimit.

Han Tae Song, ambasadori i Koresë Veriore në OKB në Gjenevë, i ka bërë këto komente sot gjatë një fjalimi para Konferencës për Çarmatim të sponsorizuar nga OKB-ja, dy ditë pasi vendi i tij e kreu testimin e gjashtë bërthamor i cili është njëherësh edhe më të madhi, transmeton Express.

“Me krenari e them se jo më larg se para dy ditëve, më 3 shtator, DPRK (Koreja Veriore) me sukses e kreu një test të bombës me hidrogjen, e cila është e dizajnuar për raketë interkontinentale, në bazë të planit të vet për një force strategjike bërthamore”, ka thënë Song.

Ai theksoi në forumin e Gjenevës: “Masat e fundit për vetëmbrojtje nga vendi im, DPRK, janë një pako dhuratash për kë tjetër përpos SHBA-së”.

“SHBA-ja do të pranojë më shumë pako dhuratash nga vendi im për aq gjatë sa mbështetet në provokime të pakujdesshme dhe përpjekje të kota për t’i bërë presion DPRK-së”, ka thënë ai.