Policia e Kosovës ka konfirmuar se mbrëmë janë arrestuar dy persona në lidhje me arratisjen e cila ka ndodhur nga Qendra Klinike Universitare.

Express ka kontaktuar me zyrën për informim të Policisë të cilën kanë bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 21:30 janë arrestuar dy persona. Në Policinë e Kosovës kanë treguar se këta dy preson janë gardianë të burgut.

“Mbrëmë rreth orës 21:30 policia ka arrestuar dy persona. Njëri i vitit të lindjes 1961 tjetri 1969. Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Vepra nga prokurori po cilësohet si lirim i paligjshëm i personit të privuar nga liria”, ka thënë Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës,

Kurse në media më herët duke u bazuar në burime është raportuar  se janë arrestuar dy gardianë në lidhje me çështjen në fjalë.

Për arratisjen e të dënuarit me 30 vite burgim nga QKUK, zbardhje të rastit ka kërkuar edhe ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai ka kërkuar një raport dhe masa të menjëhershme që të kthehet në vuajtje të dënimit.

“Mbrëmë, një i burgosur, i dënuar me 30 vjet, është arratisur nga QKUK-ja – ku ishte për trajtim. Për këtë, kam kërkuar një raport të detajuar dhe masa të menjëhershme për kthimin e tij në vuajtje të dënimit. Ju siguroj se këto probleme kanë adresë dhe secili do të japë përgjegjësi për detyrat që ka. Shërbimi Korrektues i Kosovës, viteve të fundit, është përballur me parregullsi dhe probleme që kanë shkaktuar degradimin e tij, duke prodhuar kështu efektet e veta”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Avni Osmani, i dënuar me 29 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasje të rëndë në vitin 2004, është arratisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, të 30 nëntorit 2009, Avni Osmani, i lindur më 1983 në Sllatinë të Madhe, pas një mbrëmje të kaluar në vendin e quajtur “Te Kalaja” në Fushë-Kosovë, më 28 tetor të vitit 2004, në mënyrë misterioze dhe dinake e me qëllim të fshehjes së veprës penale të mashtrimit me një revolver ka privuar nga jeta Kastriot Zogianin, 20 vjeçar, nga fshati Harilaq.

Avni Osmani kishte shtënë 12 herë në trupin e viktimës. Prej tyre 10 ishin goditje me armë ndërsa 2 ishin me armë zjarri. Shënjestra ishte pjesa e pasme e viktimës, e plagët e shkaktuara i shkaktuan edhe vdekjen të ndjerit.

Për ndihmë të Avni Osmanit ngarkohej edhe Fitim Breznica i cili kishte ndihmuar Avniun për kryerjen e veprës penale. Fitimi, sipas aktgjykimit të atëhershëm, ka ndihmuar për të shmangur zbulimin e veprës penale duke fshehur trupin e pajetë të Kastriot Zogianit në një vrimë të mbushur me ujë dhe të mbuluar me qese plastike.

Po ashtu, i njëjti e ka hedhur armën e krimit në lumin Drenica.

Për këtë vepër Avni Osmani u dënua me 30 vjet burg ndërsa Faton Breznica me 4 vjet e 7 muaj burg.