Kombëtarja shqiptare nuk është mirëpritur nga tifozët vendës në qytetin e Strumicës, ku do të zhvillohet ndeshja eliminatore Maqedoni-Shqipëri, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018”.

Gazeta Lajm ka hasur në një parullë tepër fashiste ku në një mur shkruhej “Smrt za Shiptari” që në gjuhën shqipe do të thotë “Vdekje për shqiptarët”.

Kjo parullë mund të jetë edhe një paralajmërim për tensionet eventuale në tribunat e stadiumit “Mlladost”, ku pritet një atmosferë e zjarrtë, pasi do të ketë edhe tifozë shqiptarë nga viset shqiptare të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Kujtojmë se, edhe ndeshjet e kaluara të luajtura në Maqedoni, Kombëtarja shqiptare ishte pritur me fyerje antishqiptare.