Këshilli gjyqësor deri tani nuk ka qëndrim zyrtar lidhur me raportin e Pribes, ku thuhet se ky Institucion jo vetëm që nuk e mbron, por edhe e varros pavarësinë dhe autonominë e gjykatësve. Kryetari i këtij organi që emëron dhe shkarkon gjykatës, Zoran Karaxhovski, shprehet se raporti është dërguar për përkthim e më pas do të shqyrtohet në seancë prej ku do të rezultojë edhe qëndrimi publik. Me insistimin e gazetarëve, Karaxhovski megjithatë u përqendrua në pjesën e raportit të Pribes që thotë se sistemi automatik për shpërndarjen e lëndëve është keqpërdorur që disa raste të ndjeshme të përfundojnë te disa gjykatës të caktuar. Tha se vlerësimi është paushall, por edhe e mbështeti rekomandimin nga raporti për revizion të sistemit.

Sipas meje, është i gabuar interpretimi dhe perceptimi që krijohet në opinion dhe tani është përfshirë edhe në raportin e grupit të ekspertëve të Pribes se thuajse të gjithë kryetarët e keqpërdorin këtë, etj. Prandaj, meqë nuk na besojnë neve se si punohet me shpërndarjen e lëndëve shpresoj dhe jam i bindur se do të zbatohet në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore shqyrtim plotësues i shpërndarjes së lëndëve në të gjitha gjykatat, e më pas do të mund të flasim në mënyrë më përmbajtësore – deklaroi Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit gjyqësor të RM-së.

Ipyetur nëse Këshilli mbron gjykatës të caktuar me atë që disa lëndë për përcaktimin e përgjegjësisë te ndarësit e drejtësisë assesi nuk mbërrijnë në rend dite të Këshillit, Karaxhoski nuk mohoi se disa lëndë presin më shumë kohë, por e arsyetoi situatën me zgjedhjet, gjegjësisht ndalesën që të emërohen ose shkarkohen deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave. Për këtë arsye, shprehet Karaxhovski, në pritje është vendosur edhe zgjedhja e kryetarit të ri të Gjykatës Penale të Shkupit, i cili mes tjerash vepron edhe për lëndët e PS/alsat-m