Banorët e Barcelonës që mbështesin referendumin e nesërm për pavarësinë e Katalonisë, me aktivitete të ndryshme po mbrojnë qendrat e votimit ku do të zhvillohet aktiviteti zgjedhor.

Madje, disa kanë kaluar edhe natën në shkollat që janë zgjedhur të përdoren si vendvotime, raporton AP.

Joga, shfaqje të filmave dhe tubimet sociale janë organizuar në 2 mijë e 315 vendvotime, ku njerëzit në mënyrë të organizuar po synojnë ta parandalojnë mbylljen e këtyre qendrave nga policia, transmeton lajmi.net.

Policia e Katalonisë ka marrë urdhër që të lirojnë të gjitha këto qendra deri të dielën në mëngjes. Policët kanë qenë të këshilluar që të përmbahen nga përdorimi i dhunës.

Foto: Tanjug / AP

Sipas gazetarëve francez nga vendi i ngjarjes, qytetarët kanë zënë shkollat për ta siguruar mbajtjen e referendumit.

Më shumë se 2 mijë e 300 vendovtime janë gati për referendumin, ku katalunasit nesër do të vendosin për pavarësinë e Katalonisë.

Zëdhënësi i qeverisë, Jordi Turul u tha gazetarëve se pavarësisht presioneve nga Madridi mbi 7 mijë njerëz janë angazhuar për mbajtjen e referendumit.

Foto: Tanjug / AP

Situata në këtë pjesë të Spanjës po bëhet gjithnjë e më e tensionuar, pasi priten edhe trazira nëse ndalohet mbajta e referendumit, ku pritet të ketë ndërhyrje të policisë.

Gjykata Kushtetuese e Spanjës pezulloi tre javë më herët mbajtjen e këtij referendumi, kurse policia çdo ditë konfiskonte sasi të mëdha të fletëvotimeve.

Autoritetet e Katalonisë kanë deklaruar vazhdimisht se nuk do të heqin dorë nga referendumi, pavarësisht kërcënimeve të përditshme nga Madridi.

Foto: Tanjug / AP

Zyrtarët e Katalonjs kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme mbështetjen e BE-së për referendumin, duke thënë se kjo organizatë ua ka kthyer shpinën.

Nga gjithë Evropa, zyrtarët po vëzhgojnë me kujdes dhe në heshtje situatën rreth referendumit, e sidomos nëse Katalonja vetëm shkëputet nga Spanja.

Agjencia AP vlerëson se në kontinentin evropian ka frikë se një gjë e tillë do të mund të sillte dhunë dhe trazira.

Në Kataloni janë të regjistruar 5.5 milionë votues dhe anketat tregojnë se shumica janë pro pavarësisë.