Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me sasinë e madhe të drogës të kapur gjatë natës në Itali. Droga që besohet se është ngarkuar në Shqipëri e transportuar me një gomone, është kapur nga Guardia Di Financa dhe ishte me peshë prej 2.3 tonësh.

Për kreun e PD-së kjo kapja e kësaj ngarkese tregon se trumbetat e Edi Ramës janë vetëm mashtrime.

Ja çfarë shkruan kreu i PD-së:

Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur:

Trumbetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.

Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë.?