Përmes një postimi të tij në Fb pas zyrtarizimit të kandidaturës për kryetar komune në Dibër, z.Xhemail Çupi, me një gjuhë të ashpër, fyese, urryese, shpifëse, akuzuese dhe përçarëse, e nis fushatën e tij.

Mes arsyeve të thata që e kanë futur në këtë garë z.Çupi, pa asnjë vizion, ai ka akuzuar oponentët e tij si kreminele, mafiozë, tē korruptur… gjuhë e cila tani më është e vjetër për të përdorur një politikan i frymës së re që ai pretendon se i takon .

Në rast se do të vazhdonte që gjithë fushatën e z.Çupi ta shoqëronte kjo gjuhë dhe kjo qasje, atëherë kjo do të ndikojë në polarizimin më të madh të shoqërisë dhe , mos më keq, do të futëm në vlla vrasje dibranët.

Ja statusi i plotë i z.Çupi:

Pranoj sfidën për garën e Kryetarit të Komunës Dibër!

Të nderuar bashkqytetarë dibranë, këtu në Dibrën tonë kreshnike por edhe ju që jetoni në mërgatë anë e kënd botës! Para jush shpalos emocionin më të fuqishëm të jetës sime që rrallë kush e përjeton dhe as që e kam paramenduar ndonjëherë se do ta përjetoj, por disa herë jeta i servon njeriut supriza dhe sfida aq të fuqishme dhe të çuditshme që nuk janë asgjë tjetër pos shpërblim apo sprovë nga një Fuqi Hyjnore.
Kandidatura ime ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë që është penguar nga shumë presione, shantazhe dhe kërcënime që ka nisur prej në shkurt të këtij viti dhe deri sot, por pas konsultimit me familjen, fisin dhe miqësinë, ky proces finalizohet me vendimin tim përfundimtar, pa presion dhe pa imponim prej askujt, që të garoj për postin më të lartë të qytetit. Pavarsisht rezultateve përfundimtare unë prej sonte jam FITIMTAR sepse e fitova betejën me veten time, me frikën time dhe me egon time, betejë kjo që jo çdokush e ka fituar, e kush e fiton pastaj nuk pyet se kush është kundër kandidat sepse vetbesimi dhe zemra e bindur është arma më e fortë karshi oponentëve, kushdo qofshin ato. 
Risia dhe inovacioni që ne si grup do paraqesim para publikut është forca rinore representative si te kandidati për Kryetar Komune ashtu edhe te lista e këshilltarëve komunal dhe te ekipi i ngushtë i Kryetarit të ardhshëm në proceset vendimmarëse në dobi të qytetarëve. Unë veten nuk e konsideroj lider por vetëm një manaxher i mirë me profesion politikolog që rreth vetes ka një ekipë profesionistësh të sferave të ndryshme që me dorë në zemër çdo Komunë do na e kishte lakminë, por edhe një strukturë të flakët dhe pasionante të Lëvizjes Besa – dega Dibër që ma dha mbështetjen dhe besimin që të më qëndrojnë ballë në të gjitha sfidat e fushatës pozitive. 
Dibra është një qytet i lashtë dhe me histori të bujshme por tashmë i lënë pas dore jo vetëm nga qarqet antishqiptare që asnjeherë nuk ja kanë dashur të mirën këtij qyteti por edhe nga vet Pushteti Qëndror i udhëhequr 15 vite nga BDI që çdoherë e ka anashkaluar atë apo e ka konsideruar qytet i dorës së dytë duke bërë vetëm investime simbolike. Dibra ka resurse të mëdhaja natyrore, ka gipsin, banjat termomineral, relief spektakular që ndërthuret bukuria piktoreske e dy lumejve dhe liqenit në harmoni me malet dhe pyjet e begata, por mbi të gjitha ka njerëz të mrekullueshëm që unë çdoherë jam krenuar me ta, rini vizionare, modeste, moderne dhe të shkolluar, ka edhe mijra mërgimtarë të suksesshmëm në Evropë dhe SHBA që janë të etur për të investuar në vendlindjen e tyre por që asnjëherë skanë qenë të mirpritur nga pushteti lokal ashtu siç e meritojnë. 
BDI para katër viteve ishte parti e skaduar dhe figura e Kryetarit aktual që ju bashkangjit këtij subjekti i dha asaj jetëgjatësi dhe frymëmarje të fundit. Pasi bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, në këtë fushatë nuk pretendoj të merem me subjektin që në këto zgjedhje përfundimisht do ngelet në histori por vetëm me premtimet dhe projektet e pa realizuara të Kryetarit aktual, duke e rrumbullaksuar në fund me shpalosjen e programin tonë për një Dibër më të pastër dhe më të zhvilluar. 
Unë jam ky që jam, shumë nga ju më njihni dhe shumë të tjerë keni ndigjuar për mua nga distanca. E di që në fushatë ndoshta do lavdërohem prej tjerëve më shumë sesa jam dhe do shahem më shumë sesa jam. Më jepni mundësinë tju prezentohem, tju shpeh vizionin dhe programin tim dhe pastaj ju vet jeni ata që do jepni verdiktin përfundimtar, sepse fund i fundit ju jeni sovrani. 
Politika për mua është mjet dhe jo qëllim, këtë e them sepse vij nga e kaluara ime si administrator shtetëror dhe si hoxhë, për të patur një të ardhme si profesor univerzitar. Unë e di se arena politike te ne është shumë e vështirë dhe e vrazhdë, e aq më shumë në Dibër sepse shpesh jemi zhgënjyer nga politikanët, por duke jetuar në këtë nënqiell vendosa të mirem me politikë për një qëllim të caktuar që dëshiroj ta kthej në apel për të gjithë ju qytetarë të nderuar: 
Ejani që përmes politikës dhe votës suaj ta çlirojmë qytetin nga politikat destruktive, nga ndikimi i bizneseve klanore në tenderime, në përfshirjen e kriminelëve dhe mafiës në politikë, bashkangjituni që qytetarët tonë të marin frymë lirshëm, të jetojnë pa strese dhe presione, pa shantazhe dhe kërcënime, pa nepotizëm dhe korupsione, prandaj o ju arsimtarë dhe profesorë, o ju mjekë dhe ju administratorë, votoni lirinë tuaj duke më përkrahur mua dhe grupin tim intelektual dibran.

Rob i Zotit dhe sherbetori i Dibrës,

Xhemail Isa Çupi.
Dibër, 7 shtator 2017.