Gjithsej 38 milionë euro nga Buxheti shtetëror ka shpenzuar Qeveria paraprake për propaganda dhe fushata të transmetuara në mediat elektronike dhe të shtypura në Maqedoni.

Siç kumtoi sot zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, bëhet fjalë për fushatat për fëmijën e tretë, kundër abortit, Hulumtoje Maqedoninë, ditët e idesë, drurit, ushqimit… ndërsa në 38 milionët e konfirmuara deri më tani nuk janë marrë parasysh vitet 2006, 2007 dhe 2016.

Sipas Boshnjakovskit, të paqarta janë kriteret si janë transferuar paratë dhe me siguri shuma është shumë më e madhe duke pasur parasysh se nuk janë llogaritur paratë për fushatat e ministrive të caktuara, por 38 milionë euro e mbulojnë vetëm industrinë mediale të Kabinetit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Më shumë, 23 milionë euro, janë për reklama në mediat elektronike, 15 milionë janë shpenzuar për fushata të disa agjencive të marketingut dhe për shpallje publike në disa media të shtypura, ndërsa 20 mijë euro kanë shkuar për hulumtimin e mendimit publik”, informon Boshnjakovski, duke potencuar se qytetarët vetë e kanë paguar propagandën e cila është bërë ndaj tyre.

Qeveria e re, thekson zëdhënësi, më nuk do të lejojë, e as ndonjëherë do të jetë shpallës më i madh marketingu në vend.