Aktorja dhe prezantuesja Jonida Vokshi ka rrëfyer sot për “Jo vetëm Modë” angazhimin më të fundit në kinematografi.

Bukuroshja do të jetë pjesë e një filmi me metrazh të gjatë, i cili titullohet “Derë e hapur”, ku do të luajë rolin e Elmës që është rikthyer nga emigracioni dhe është rreth 8-muajsh shtatzënë.

Duket se Vokshi e ka marrë mjaft seriozisht punën në këtë film, madje është përfshirë tërësisht në rol pasi deklaron se edhe jashtë xhirimeve mban dorën tek barku dhe i duket sikur lëviz diçka.

“Më ka ardhur propozimi për të qenë pjesë e filmit që para një viti e ca, kur filmi ishte akoma në hapat e para. Nuk e kisha provuar ndonjëherë këtë ndjesi edhe më vjen natyrshëm ta mbaj dorën tek barku, është shumë e çuditshme. Edhe kur jam jashtë setit, edhe kur eci më duket sikur lëviz diçka. Në rolin e Elmës unë sapo jam kthyer nga emigracioni për përvjetorin e vdekjes së mamasë dhe nuk mund të shkoj kështu tek babai, i cili nuk e di për shtatzëninë”, tha Vokshi.