Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev premtoi se do të ketë regjistrim të popullsisë në Maqedoni në vitin 2019, tha Metodija Kolovski nga Diaspora e Bashkuar Maqedonase në SHBA pas takimit me kryeministrin.

“Në këtë takim, kryeministri Zaev tha se regjistrimi do të kryhet brenda vitit 2019 dhe ky do të jetë një proces transparent”, tha Kolovski.

Ky term është përmendur në kontekst të sqarimit nga ana e Zaev për nevojën për Ligj për përdorimin e gjuhëve, që paraqet pjesën e fundit ligjore të Ligjit për gjuhët të miratuar në vitin 2008 dhe 2011 dhe është plotësisht në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Ndërsa për DBM, ky Propozim-ligj është i papranueshëm pasi që, prek Kushtetutën e vendit, unitetin, interesat kombëtare dhe integritetin territorial të Maqedonisë, si dhe krijon mundësi për formimin e një shteti binacional në vend të një shteti për maqedonasit dhe të gjitha pakicat tjera me të drejta të barabarta”, qëndron në kumtesën e DBM-së.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2002, ndërsa regjistrimi i planifikuar në vitin 2011 u ndërpre pas dorëheqjes kolektive të Komisionit për regjistrim më 10 tetor të atij viti.

Për këtë arsye, çështja e numrit të banorëve, mbetet si problem i hapur, që jo rrallë shërben si armë për ballafaqime politike ose si kërcënim në debatet rreth çështjeve të nxehta ndër etnike, siç ndodh edhe tani në diskutimet për nevojën e zgjerimit të përdorimit të gjuhës shqipe.

Sipas vlerësimit të shpallur nga Enti shtetëror për statistika në vitin 2016, Republika e Maqedonisë ka 2.072.490 banorë, që është për rreth 50 mijë banorë më shumë nga viti 2002 kur nga regjistrimi doli numri 2.022.547 banorë.