Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Polonisë, në Krinjica-Zdruj, realizoi takim me presidentin e Republikës së Polonisë, Andzhej Duda.

Në takim, siç informojnë nga kabineti i presidentit, dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer opinione për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale mes Maqedonisë dhe Polonisë, me ç’rast është vlerësuar se dy vendet kanë marrëdhënie të mira politike dhe bashkëpunim në shumë sfera. Në këtë drejtim, presidenti Ivanov ka vlerësuar se shënimi i 25 vjetorit të themelimit të marrëdhënieve bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Polonisë në vitin 2018 do të jetë mundësi e mirë për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit, duke përfshirë përmes realizimit të takimit zyrtar, si dhe realizimit të forumit të biznesit, në të cilin do të shqyrtohen mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar.

Presidentët kanë shkëmbyer opinione për perspektivat evropiane dhe euroatlantike në rajon. Në këtë kontekst, presidenti i Maqedonisë ka shprehur pritje që Polonia të ndihmojë në zhbllokimin e procesit eurointegrues të Maqedonisë.

Presidenti polak Duda ka theksuar se Republika e Polonisë gjithmonë i ka mbështetur aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.

Në takim presidenti Ivanov ka theksuar se Republika e Maqedonisë e çmon mbështetjen që vendet e Grupit të Vishegradit e japin për vendin në kuadër të institucioneve të BE-së.

Presidenti i Maqedonisë ka shprehur falënderim për ndihmën nga Polonia në menaxhimin e krizës së migrantëve dhe të refugjatëve dhe për ndihmën e ofruar në përballjen me sfidat me përmbytjet në rajonin e Shkupit në vitin 2016. Ivanov e ka riafirmuar edhe interesin për zhvillim të bashkëpunimit në mbrojtje.

Në takim janë shkëmbyer opinione për mundësinë e bashkëpunimit në më shumë sfera në interes të përbashkët.