Evropa ta kuptojë shekullin 21 dhe t’i kyçë vendet të cilat ende janë në sallën e pritjes që të mundemi së bashku të prezantohemi si kontinent, ndërsa jo si Bashkim Evropian, porositi presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov në hapjen e Forumit ekonomik të 27-të, që po mbahet në qytetin polak Krinjica-Zdruj, duke folur në temën “Integrimi i papërfunduar – aspiratat e vendeve evropiane”.

Ivanov, siç kumtoi Kabineti i tij, në Forum ka theksuar se Maqedonisë, për shkak të standardeve të dyfishta, i shkurtohet e drejta e prosperitetit.

“Maqedonia është shembull i vetëm i vendit kandidat për BE-në nga i cili kërkohet diçka që nuk është kërkuar nga asnjë kandidat i deritanishëm. Shkurtohet e drejta e dinjitetit njerëzor dhe e drejta e vetëidentifikimit. Ta përdorni emrin të cilin vet e keni zgjedhur dhe të gjithë ju emërtojnë. Por, kjo është çështje dypalëshe dhe problemi është që BE lejon një anëtare ta keqpërdorë Unionin, ta bllokojë prosperitetin për ne, ndërsa edhe të tërë rajonit”, tha presidenti Ivanov, duke shtuar se pjesa më e madhe e popullatës në Maqedoni dëshiron të jetë në BE edhe krahas asaj çfarë po ndodh në Union.

“Evropa nuk do të zhduket, por do të bëhet e parëndësishme nëse nuk përshtatet në sfidat e shekullit 21”, theksoi shefi i shtetit, duke e potencuar nevojën e kontinentit evropian, të cilat shtetet nuk munden individualisht t’i zgjidhin.

Maqedonia dëshiron të jetë pjesë e asaj Evrope të shekullit 21, e jo Evropës së shekullit 20 kur anëtaret e BE-së e keqpërdorën anëtarësimin e tyre për t’i bllokuar proceset e integrimit të tërë rajonit në një hapësirë të hapur e cila do të sillte paqe dhe prosperitet, porositi shefi i shtetit.

“Bashkimi Evropian, për fat të keq ende nuk është Evropë”, potencoi Ivanov, duke shtuar se kur të gjitha vendet e Ballkanit do të jenë pjesë e BE-së, atëherë BE do të mund të flasë në emër të tërë kontinentit.

Duke folur për krizën e emigrantëve dhe kontributin e shtetit tonë, Ivanov theksoi se Maqedonia edhe sot e mban mbyllur rutën ballkanike dhe i shprehu falënderim Polonisë dhe vendeve të Grupit të Vishegradit për mbështetjen e policisë së tyre në ballafaqim me migrimin ilegal.

Lidhur me valën e emigrantëve dhe islamofobinë e rritur në Evropë, Ivanov theksoi se përvoja e Maqedonisë mund të shërbejë si zgjidhje e cila do të jetë në dobi për shumë vende evropiane.

Evropa e mësuar nga viti 2015, siç shtoi, duhet në mënyrë parandaluese të veprojë dhe t’i kyçë vendet të cilat nuk janë anëtare të Unionit por janë vende të kontinentit evropian. “Është e domosdoshme që Ballkanit t’i mundësohet të ketë perspektivë evropiane dhe t’i ndjejë të mirat e BE-së”, tha Ivanov.

Si anëtare më me ndikim në BE, presidenti Ivanov theksoi se pret mbështetje të fuqishme nga Polonia për integrim të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE.

Иванов и Дуда

Në hapjen solemne, krahas presidentit të Maqedonisë fjalim mbajti edhe presidenti gjeorgjian, Giorgi Margvelashvili, si dhe presidenti i Polonisë, Andzhej Duda.

Presidenti Duda porositi se Polonia do të jetë avokat i integrimit të vendeve kandidate në BE. Ai konsideron se gabim më i madh do të jetë nëse mbyllen dyert e Bashkimit Evropian dhe vlerësoi se zgjerimi sjell vlerë të shtuar në BE.

Forumi ekonomik në Krinjica i titulluar si “Projekti Evropa – cila është receta për dekadën e ardhshme?”, morën pjesë mbi 3.000 pjesëmarrës nga më shumë se gjashtëdhjetë vende nga Evropa dhe bota.