Ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar pas aksionit policor në Elbasan këtë të enjte, ku u shoqëruan mbi 20 persona.

Për ish ministrin, ky i joni, “nuk është shtet ligjor, por policor”.

“Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë tjetër për të kuptuar abuzimin e Policisë me ligjin! Shoqërimi në Polici, sipas Ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodit të Procedurës Penale, bëhet vetëm në bazë të një arsyeje reale, pra në kushtet e një emergjence nga reagimi i dhunshëm ndaj policisë, ose në kushtet e flagrancës ose në bazë të një vendimi gjykate apo urdhri të Prokurorit. Çdo veprim tjetër jashtë këtyre rrethanave është abuzim me ligjin! Policia nuk është organ zyrash, por terreni. Verifikimet janë plotësisht të mundshme të bëhen në terren. Rastet e abuzimit po shtohen, madje edhe ndaj autoriteteve publike. Ky lloj abuzimi me ligjin po synon ne thelb të vendosë fuqinë e Policisë mbi çdo autoritet tjetër!!! Ky nuk është shtet ligjor, por policor”, shprehet Manjani në reagimin e tij.