Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tashmë do t’i përkushtohet tërësisht avokatisë, profesionit të tij që nuk e ka lënë në asnjë moment pas dore pavarësisht angazhimeve politike që ka pasur.
Teksa bën të ditur përmes një statusi në Facebook se ka përfunduar procesin e regjistrimit të zyrës së avokatisë, Manjani ka edhe një këshillë për politikanët e rinj, të konfirmuar në zgjedhjet e 25 qershorit.
Njoftimi ne Facebook
Që sot e ne vijim do ti përkushtohem tërësisht Avokatisë. Punonjësit e Qëndrës së Shërbimeve (djali në sportelin nr 3) më ndihmuan të pajisem me NUIS (NIPTI).
Kam ndërmend të fokusohem tek këshilla ligjore për çdo kënd që ka një problem me shtetin.
Së bashku me një ekip partnerësh punëtorë e të mënçur do mundohemi të bëjmë më të mirën tonë. Të vëmë në dispozicion gjithçka dimë në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Sa i takon angazhimeve të tjera, me të cilat jemi njohur deri më sot, kalojnë të gjitha në plan të dytë. Që do të thotë se ndonjëherë për ndonjë teme që ma ka qejfi dhe ma lejon koha, mund të shpreh ndonjë mendim.
Politika tashmë ka zgjedhur “punonjësit” e saj, të cilëve ju uroj veç të mira! Të jenë sa më shumë të sinqertë dhe të luajnë sa më pak teatër për llogari të shefave të tyre!
Për çështje të zbatimit të ligjit apo të funksionimit të drejtësisë do jem gjithnjë i gatshëm dhe në dispozicion.
Shumë faleminderit për komentet tuaja nëpër statuset e mia!
Jemi në kontakt në vijim, me statuse, komente e mendime të tjera.