Në mesin e një debati dhe tensionesh të mëdha të Perëndimit me Korenë e Veriut dhe ku SHBA çdo ditë po përforcon qëndrimin se zgjidhja e krizës mund të vijë vetëm përmes ndërhyrjes ushtarake, një ish-marins amerikan ka gjetur çelësin e suksesit sesi mund të rrëzohet diktatori korean pa derdhur gjak.

Jocko Willink shkruan në Twitter se nuk është e nevojshme ndërhyrja ushtarake dhe as ndonjë operacion i fshehtë për të vrarë Kim Jong-un. Sipas tij, zgjidhja janë telefonat iPhone.

“Hidhni 25 milionë iPhone mbi Korenë e Veriut dhe lidhini me ëireless përmes satelitëve”, ka thënë ish-marinsi.

Ai e mbështet teorinë e tij mbi faktin që shoqëria në shtetin komunist është e mbyllur dhe nuk e ka idenë se çfarë po ndodh në botë.

“Kim Jong e kupton se në qoftë se shoqëria është e hapur dhe sapo njerëzit e Koresë së Veriut të kuptojnë se çfarë ndodh, regjimi diktatorial do të jetë i humbur, i paqëndrueshëm dhe do të përmbyset”, ka thënë Yun Sun, një ekspert për çështjet e Koresë së Veriut.

Ai e gjen me shumë vend propozimin e ish-marinsit amerikan dhe thotë se mund të funksionojë.

Ai sjell në kujtesë edhe një rast të tillë të ngjashëm para disa vitesh, kur Koreja e Jugut fluturoi balona mbi Korenë Veriore, duke lëshuar pamflete dhe DVD. Shteti komunist u përgjigj me manovra ushtarake pasi ndjeu dobësinë në krahasim me demokracinë.

Sipas ekspertëve, Kim Jong frikësohet nga reagimi i njerëzve të Koresë së Veriut nëse do të mësojnë se çfarë ndodh realisht në botë.

Për këtë arsye, e gjithë media në Korenë Veriore kontrollohet nga shteti dhe interneti nuk lejohet për qytetarët.