Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e sotme, ku Kadri Veseli u rizgjedh në krye të Kuvendit, duke thënë se partia e tij dëshmoi se qëndrojnë prapa asaj që janë zotuar se do të kundërshtojnë PDK’në në çdo rrethanë.

Ai përmendi edhe deputeten Teuta Rugova, e cila nuk ishte sot në sallë, ani pse ishte thënë se ajo do ta mbështeste PAN’in.

Ky është shkrimi plotë i Mustafës në Facebook:

“Sot, asnjë votë e LDK-së dhe Alternativës nuk i shkoi Koalicionit të PDK-së. Ne dëshmuam zotimin tonë se nuk bëhemi me ata që rrënuan qeverisjen me shumicë shqiptare, për ta shndërruar Kosovën në varësi nga votat që dirigjohen nga Serbia.

Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve.

Në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it ta do të kenë zyret në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në Parlament dhe në Qeveri. Disa nuk e kanë marrë vesh se kohët kanë ndryshuar. IM”