Nga janari deri në shtator të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 166 persona si të zhdukur. Në shumicën e rasteve largimet apo zhdukjet janë të momentit. Prijnë vajzat e reja dhe largimi i tyre nga shtëpia lidhet me fillimin e një lidhjeje të re të çifteve, thotë zyra rajonale e policisë për Gazetën Express.

“Në shumicën e rasteve largimet ,,zhdukjet” janë të momentit dhe më pas ,,të zhdukurit” lajmërohen ose kthehen në shtëpi. Ka raste të shumta, kur të zhdukurit(at) janë të gjinisë femërore dhe zhdukja lidhet me fillimin e një lidhje të re të çifteve”, tregon zyra rajonale e policisë në një përgjigje elektronike për Express.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani janë regjistruar 166 raste të personave të zhdukur të cilët janë raportuar në polici kryesisht nga familjarët. Ndërsa gjatë vitit 2016 janë evidentuar 224 raste të tilla.

Policia nuk ka dhënë statistika se sa prej tyre janë meshkuj dhe femra por thonë se i takojnë kryesisht gjinisë femërore.

Policia pas raportimeve të qytetarëve të cilët lajmërojnë raste të largimeve nga shtëpia të familjarëve të tyre për të cilët nuk kanë njohuri se ku ndodhen inicion rastin dhe fillojnë hetimet.