Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri e mohon se subjekti i tyre ka qenë në kontakt me Listën Serbe për t’iu bashkuar atyre drejt formimit të Qeverisë.

Këto deklarata të Hazirit vijnë pasi presidenti Thaçi tha se të gjitha partitë politike deri në ditën e konsolidimit të Qeverisë, kanë vrapuar dhe kanë kërkuar nga Lista Serbe që të jetë pjesë e tyre.

Por zyrtari i LDK’së Lutfi Haziri bën të ditur se Partia Demokratike e Kosovës së bashku me Listën Serbe vazhdimisht kanë pasur kontakte dhe marrëveshje. Madje Haziri thotë se këto takime i kanë pasur dy etapa.

“Jo, Lista Serbe ka pi ujë në pusin e helmuar të PDK-së… ata kanë pas kontakte, premtime dhe marrëveshje në dy etapa: Me votu mocionin dhe me ndërtu qeverinë bashkë”, është shprehur Haziri të martën për Express.

Ai thotë se të dyja partitë janë pajtuar edhe në ndarjen e posteve, agjendave dhe programeve që nuk po bëhen ende publike deri në fund.

Ndërkaq, i pari i Shtetit Hashim Thaçi tha se deri në ditën e ndërtimit të koalicionit qeveritar, të gjithë e kanë lutur Listën Serbe që të jenë pjesë e tyre.

Bëri të ditur se ai është takuar me Listën Serbe dhe se të njëjtët i kanë treguar qartë se kanë ofertë prej të gjitha partive politike të jenë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Ishte vendim i tyre se me kë të futen në koalicion. Është e drejtë legale, është e drejtë legjitime politike”, tha Thaçi për në një emision televiziv./Express/