Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Gruevski sot deklaroi se ligji i propozuar për gjuhët është jokushtetues dhe mund të kontestohet nga cilido qoftë qytetar me ankesë të dorëzuar deri te Gjykata Kushtetuese.

Sipas Gruevskit, kryeministri Zaev “po luan me ndjenjat e qytetarëve të komunitetit shqiptar, sepse aspak nuk ka zgjidhje për problemet konkrete të qytetarëve”.

“Me të vërtetë habitem nëse e bën vet Zaevi tani para zgjedhjeve të luajë me ndjenjat e qytetarit shqiptar apo bëhet në dakordim me BDI-në kur paraprakisht dihet se dispozitat kyçe të ligjit që i kanë bërë janë jokushtetuese se ato mund të bien gjatë dorëzimit të ankesës deri te Gjykata Kushtetuese nga cilido qoftë qytetar i shtetit”, tha Gruevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës në Kumanovë.

Duke i komentuar 100 ditët e para të Qeverisë së re, Gruevski tha se ka dallim të madh me punën në njëqind ditët e Qeverisë paraprake të cilën e ka udhëhequr ai. Kanë realizuar, siç tha 56 projekte për uljen e tatimeve, subvencionet për bujqit, thirrje për operator të tretë telefonik, ligj për hapjen e universitetit të ri në Maqedoninë lindore. “Atëherë edhe sot ka dallim të madh. Relative është çështja a është kjo shumë apo pak, më së miri është kur krahasohet me 100 ditët e para gjatë ardhjes sonë në Qeveri”, deklaroi Gruevski.