Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në ditëlindjen e veprimtarit të shquar të çështjes sonë kombëtare, Joseph DioGuardi

Sot, më 20 shtator është ditëlindja e veprimtarit të shquar të çështjes shqiptare, Joseph DioGuardi. U lind më 20 shtator të vitit 1940. Njihet për politikan amerikan me origjinë shqiptare (arbëresh). Përveçse ka qenë kongresist në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me shumë sukses e ka udhëhequr Lidhjen Qytetare Shqiptare-Amerikane, e cila që nga fillimi i dekadës së fundit të shekullit XX u angazhua fuqishëm për ardhjen në pushtet të forcave demokratike në Shqipëri, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të drejtat kombëtare të gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Bashkë me bashkëshorten e tij, zonjën Shirley Cloyes DioGuardi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos për njohjen dhe afirmimin e Universitetit të Tetovës.

Në muajin shkurt të vitit 1995, për herë të parë në Kongresin Amerikan, Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane e Joseph DioGuardit realizon një seancë dëgjimore për shqiptarët, me përfaqësues shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, dhe shkon bashkë me gruan e tij Shirley Cloyes DioGuardi, misionare e Lidhjes Qytetare Shqiptare Amerikane për çështjen e shqiptarëve të Ballkanit, ndërsa në Maqedoni për të ndihmuar për hapjen e Universitetit të Tetovës, si dhe udhëheq protestën kundër dhunës qeveritare maqedonase ndaj Universitetit të Tetovës.

Në janar të vitit 1996, Kongresi Amerikan nëpërmjet kongresistit dhe Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Benjamin Gilman prezanton rezolutën numër 103 për të garantuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe njohjen zyrtare të Universitetit të Tetovës.

Më 15 shkurt të vitit 1995, Joseph Dioguardi ishte përkrah vëllezërve të tij në Tetovë, në ditën e hapjes solemne të Universitetit të Tetovës dhe fillimit të vitit të parë akademik 1994/1995. Për këtë kontribut të çmuar do t’i jemi mirënjohës për jetë të jetëve, ne dhe gjeneratat e ardhshme.

Veprimtaria e bujshme e DioGuardit në interes të çështjes sonë kombëtare vazhdon pandalur edhe ditët e sotme.

Me rastin e ditëlindjes, i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë!

Zoti e bekoftë Joseph DioGuardin!