Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Gafurr Adili pas 33 viteve ekzil sot shkeli tokën e vendlindjes së tij, informon INA.

Ai pasdite mbërriti në fshatin e tij të lindjes Aranjell të Kërçovës, duke u çmallur me familjen e tij, të ngushtë, e cila nuk kishte arritur që të shohë për më shumë se tre dekada.

Adili tha për INA se ndjehet tejet i emocionuar dhe ka faleminderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur dhe janë solidarizuar në rrugën e tij kombëtare dhe sakrficën e tij familjare.

“Është një moment i veçantë dhe një emocion i papërshkruar. Ditëve në vijim do të flas për gjithçka”, theksoi për INA, Gafurr Adili.

Momente të veçanta ka përshkruar edhe doktori Adil Mustafa, i cili ka qenë një nga nismëtarët për rikthimin e veprimtarit Gafurr Adili në vendlindjen e tij.

“I urojmë mirëseardhje pas 33 viteve ekzil. Faleminderojmë të gjithë ata që ndihmuan në rikthimin e këtij veprimtari të denjë të çështjes kombëtare”, theksoi Adil Mustafa.

Gafurr Adili nga viti 1984 u arratis për në Zvicër, pasi që në gjah i ishte vënë UDB-ja dhe më pas shërbimi sekret i Maqedonisë.

Ai në mërgim qëndroi deri në fundvitet e 90-ta, duke lëvizur në Shqipëri. Në vitin 2003 përqëndrohet në Tiranë, ku fillon aktivitete kombëtare.

Siç mëson INA, Adili ditëve të fundit  bëri një kërkesë në ambasadën e Maqedonisë për document udhëtimi dhe se është njoftuar ng ambasada se nesër mund të tërheq dokumentin dhe të udhëtojë drejt Maqedonisë.  Pas 13 viteve qëndrimi në Tiranë, Adilit nuk iu dha shtetësia shqiptare, edhe pas shumë aplikimeve. Rikthimin e tij në vendlindje e ka paralajmëruar edhe miku i tij, doktori i mirënjohur kërçovar Adil Mustafa, i cili ka ndihmuar procesin e rikthimit të Gafurr Adilit në vendlindje. Ai në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur ndonjë proces të ngritur gjyqësor dhe se dosja e tij është e pastër.