Aktori i famshëm hollivudian Morgan Freeman ka bërë deklarata të ashpra kundër presidentit të Rusisë.

“Vladimir Putin është spiun dhe ne jemi sulmuar e ndodhemi në luftë”. Këtë deklaratë aktori e ka bërë në një video të publikuar në internet.

Ai e vuri theksin tek sulmet kibernetike që agjencitë e inteligjencës amerikane i raportuan Kremlinit. Ndërhyrje të tilla kishin si qëllim zgjedhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Përmes hapjes së lajmeve të rreme në rrjetet sociale, Putin ka bindur njerëzit e shoqërive demokratike që të shkatërrojnë mediat e tyre. Madje ai po fitonte. Kemi nevojë që presidenti jonë të flasë direkt me ne e të thotë të vërtetën.

Kemi nevojë që të na thotë se gjatë zgjedhjeve të fundit jemi sulmuar nga qeveria ruse dhe se do të ketë hetime në lidhje me këtë çështje ”, vijon Freeman.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Kremlinit zyrtar, ku zëdhënësi i saj, Dmitry Peskov, kritikoi aktorin amerikan, Morgan Freeman, për një video që ai e ka bërë për një organizatë jofitimprurëse në SHBA.

Në këtë video, që është lëshuar më 19 shtator nga Komiteti për Hetimin e Rusisë, Freeman thotë se SHBA është “në luftë” me Rusinë dhe bën thirrje për të hetuar ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Duke folur në Moskë, Peskov tha se Kremlini nuk e merr seriozisht videon e Freemanit.

Ai tha se Kremlini nuk e konsideron atë si kërcënuese, por më pas bëri sulme personale mbi aktorin, duke e quajtur “viktimë të tensionit emocional”.

Peskov tha se Freeman “nuk i ka informacionet e vërteta për gjendjen reale të gjërave”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka përkrahur në mënyrë selektive njerëzit e famshëm, duke u dhënë shtetësi ruse artistëve dhe sportistëve perëndimorë, të cilët kanë mbështetur publikisht agjendën e politikës së jashtme të Kremlinit.

Në nëntor, Putin personalisht i ka dhënë pasaportën ruse aktorit amerikan Steven Seagal, pasi ky i fundit e ka cilësuar presidentin rus si një nga “liderët më të mëdhenj të botës”.