FJALA E MBAJTUR NË KONVENTËN E BDI-së e BLERIM BEXHETIT, KANDIDAT PER KRYETAR TE KOMUNES SE SARAJIT

Zotri Kryetar,

Zotri Shef i Shtabit Qëndror

Zonja e zotërinj, kandidatë për kryetarë dhe këshilltarë të kuvendeve tona komunale,

Vëllezër e motra të familjes së madhe të Bashkimit Demokratik për Integrim!

Të dashur qytetarë!

Jam këtu para jush, për të përçuar mesazhin e fuqishëm se ne jemi edhe për këtë garë zgjedhjesh, thellësisht të bindur se kemi për të dalë fitues, se kemi për të vazhduar varganin e fitoreve të deritanishme.

Zoti Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti!

E kam të vështirë të flas në emër të 18 kandidatëve për kryetarë komunash, për shkak se çdo komunë, nga Likova e gjer në Strugë, i ka specifikat e veta. Mirëpo, ajo që përshkon çdo platformë tonën, veç e veç, është se  të gjithë kandidatët iu kemi rrekur seriozisht këtij besimi që na është dhënë për të bërë komunat tona – shtylla të së nesërmes më të mirë e më të bukur. Për këtë kemi vendosmërinë, kemi guximin e mbi të gjitha kemi armën më të fuqishme – dijen e zotësinë që t’u japim zgjidhje të gjitha sfidave – ta bëjmë komunën të jetë vërtet në shërbim të qytetarit – me më pak halle në fushën e infrastrukturës, që nënkupton se çështjet e identifikuara nga fusha e urbanizmit  e planifikimit, tashmë i kemi shndërruar në projekte me zgjidhje të përcaktuara e të afatizuara. Njësoj si dhe kur është fjala për përkujdesin tonë permanent për të avancuar, për të çuar përpara, punën e institucioneve të shëndetësisë, arsimit, kulturës e të sportit. E mira dhe epërsia e jonë, është se në këto zgjedhje fitojmë komuna ku të gjitha arritjet e deritashme kanë vulën e pashlyeshme të Bashkimit Demokratik. Dhe, jam thellësisht i bindur se karakteristika e kësaj kontratës së re me votuesit do të jetë përgjegjësia e llogaridhënia. Kjo për shkak se këtë e kërkojnë vet qytetarët si taksapagues të rregullt.Ne do të bëjmë çmos që mjetet e arkëtuara të mbeten e të zënë vend aty ku vijnë – nëpër komuna dhe, natyrisht se duke avancuar edhe më decentralizimin, në bashkëpunim me pushtetin qendror, do t’ia dalim që të bëjmë komuna me të cilat do të mund të matemi edhe me ato të perendimit, ku si vend dhe si komb edhe e kemi vendin. Pra, zoti kryetar, të dashur vëllezër e motra, na priftë e mbara për një fitore të re të Bashkimit Demokratik për Integrim!