Gramoz Ruçi u zgjodh sot kryetar parlamenti me 80 vota “pro”, përfshirë dy vota nga opozita e djathtë.
40 deputetë votuan kundër dhe një abstenim. Deputetët e LSI-së nuk morën pjesë në votim.
Fjala e Ruçit
Do të jem garant i zbatimit të Kushtetutës së Shqipërisë dhe kurdoherë në shërbim të qytetarëve dhe në mbështetje të secilit prej jush për të ushtruar përgjegjësitë dhe të drejtat në shërbim të Republikës. Për qytetarët, Kushtetuta është themeli i të drejtave, kurse për ne është themeli i detyrimeve në shërbim të të drejtave të të gjithë qytetarëve. Unë jam i vetëdijshëm se drejtimi i legjislativit është një detyrë supreme.
Nisur nga bindjet dhe morali im politik do t’i bëja thirrje shumicës që fitorja nuk është gjithçka por vetëm fillimi i përgjegjësive. Misioni ynë do të jetë t’u shërbejmë pa dallim të gjithë qytetarëve. U bëj thirrje partive politike të vënë në plan interesin kombëtar. Opozita nuk i shërben shumicës, por zhvillimit të vendit. Qytetarëve vërtetë nuk e votuan opozitën në qeveri.
Ne do të garantojmë bashkëqeverisjen funksionale dhe të përgjegjshme me qytetarët si kontratë e ligjshme dhe e kontrolluar prej tyre. Bashkëqeverisja me qytetarët udhëhiqet nga parimi i madh i demokracisë që askush nuk mund të qeveris pa patur bashkëpunimin e tij.
Ne deputetët duhet të bëhemi zëdhënës të njerëzve të thjeshtë. Zëri dhe verdikti i qytetarëve. Do t’i sjellim qeverisë legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore ndjeshmëritë e publikut. Me qytetarët nuk dështojmë kurrë. Pa ta nuk fitojmë as ne dhe as Shqipëria.
Unë ju ftoj t’i bashkohemi ftesës sime që kur të hyjmë në këtë tempull të lëmë jashtë derës partitë që përfaqësojmë. Në këtë sallë për të gjithë ne, e vetmja parti duhet të jetë Shqipëria.
Ne duhet të kontribuojmë që të flakim partiokracitë jashtë Parlamentit.
Ky Parlament do të nxisë dhe mbështetë thellimin e reformave të mëdha. Ne do të shpien deri në fund, reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut për të mos lejuar që interesi publik, qytetar, ekonomia dhe mirëqenia e këtij vendi të vazhdojë të përkeqësohet, të tallet apo sfidohet nga një grusht politikanësh, zyrtarësh, prokurorësh dhe gjyqtarësh të korruptuar.
Ruçi ishte kandidatura e vetme e propozuar nga Partia Socialiste dhe votimi pritet pa shumë surpriza.
Dy partitë e mëdha në opozitë, Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shprehur votën e tyre kundër kandidaturës.
Ndërkohë, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk po marrin pjesë në votim, duke e bojkotuar atë. Ndryshe, deputetët e Partisë Demokratike kanë marrë pjesë votim.
Nga jashtë, një grup ish-të përndjekurish politikë protestojnë përpara ndërtesës së Parlamentit të Shqipërisë, duke kundërshtuar zgjedhjen e Gramoz Ruçit në postin e Presidentit të Republikës. Protesta po vijon paqësisht.
Ruçi akuzohet nga demokratët si ish-ministër i Brendshëm i periudhës së diktaturës komuniste. Gramoz Ruçi ka drejtuar Ministrinë e Brendshme në fillim të viteve 1990, kur sistemi komunist kishte nisur rënien e tij.
Më herët në nisje të seancës, deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë bënë betimin e tyre, duke nisur zyrtarisht detyrën.