TIRANË- Analisti dhe shkrimtari Fatos Lubonja është sot në sutdion e emisionit “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në News24 për të treguar një pjesë të librit të tij të jetës, atë më dramatiken.

Nisur nga akuzat e shkrimtarit Ismail Kadare, ai ka folur sot për të vërtetën e tij duke nisur nga arrestimi në moshën 23-vjeçare, kur ishte prind i dy vajzave të vogla dhe jetonte në Lezhë.

Kur jeni arrestuar, ma përshkruani?
Jam arrestuar të nesërmen e kësaj letre. Më 24 korrik të 1974 është gjetur letra dhe unë jam arrestuar më 25 korrik. Ishte në praktikat e Ministrisë së Brendshme që në rastet më të veçanta të informonte partinë lart. Në këtë rast është kjo letër dërguar Hysni Kaps, si rezultat i gjetjes së shkrimeve e armëve në shtëpinë e xhaxhait.

Sa vjeç ishit?
Unë isha 23 vjeç. Isha në shtëpinë e babait në Lezhë. Erdhën më trokitën në derë. Kisha dy vajza, njërën 1 muajshe. Erdhën më kërkuan. Dëgjova një psherëtimë nga ish-gruaja. Kishim një parandjenjë që do ndodhte. Dolën dhe më morën me një gaz. Kur arrita në drejtorinë e punëve të brendshme në Tiranë, nuk më thanë je arrestuar, nuk më dhanë ndonjë shpjegim deri sa përfundova në zyrën e nëndrejtorit të policisë Koço Josifi, hetuesi.

Nuk më dhanë dorën. Më thanë të kemi marrë t’ju pyesim se cilat janë pikëpamjet tuaja politike. Iu thashë po më bie si bombë kjo pyetje. Nuk ishte koha që ti dilje dhe thoshe pikëpamjet e tua. Si bombë të të bjerë tha ai. Unë në ndjenjën e instinktit, thashë si të gjithë shokët e mi. Por ata kishin gjetur shkrimet, materialet, letrën e Kadriut që flitej për Hysniun. Ata i kishin marrë tashmë dhe kur mua më pyetën ata e dinin se cilat ishin pikëpamjet e mia. Më çuan në birucat e Tiranës.