Familja Hoxha nga Bellanica është e indinjuar me zvarritjen, sipas saj, të procesit gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, i cili po gjykohet për vrasjen e familjarit të tyre, Ramizit, më 2 tetor 1998.

Kjo familje, e cila në këtë gjykim është palë e dëmtuar, kërkon nga organet e drejtësisë të Kosovës që të marrin masa që procedura gjyqësore të zhvillohet sa më shpejt.

Në një letër dërguar në KALLXO, Fadil Hoxha thekson se po bëhet gati një vit që nga ngritja e aktakuzës, e deri tani është mbajtur vetëm seanca e fjalës hyrëse.

“Ne e kemi kundërshtuar kërkesën e avokatit Rrecaj, i cili në fjalën hyrëse kërkoi që të gjitha provat dhe dëshmitë vetëm të lexohen. Unë kam kërkuar të vinë të gjithë dëshmitarët në proces”, thekson Fadil Hoxha, djali i Ramiz Hoxhës, i cili bashkë me Selman Binishin nga Banja janë ekzekutuar më 2 tetor 1998 nga persona të maskuar, për të cilët Prokuroria Speciale pretendon se kanë qenë ushtarë të UÇK-së dhe se zona në atë kohë ishte nën përgjegjësinë e të akuzuarit Limaj.

Nga ajo seancë, sipas tij, kanë kaluar 80 ditë deri në seancën e djeshme, e cila nuk u mbajt për shkak se mbrojtja e të akuzuarit e kishte njoftuar Gjykatën se nuk do të vinin për shkak të gjendjes shëndetësore të avokatit Tahir Rrecaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës. Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje. /kallxo