Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se Ankaraja është e gatshme t’u ndihmojë refugjatëve nga Mianmari.
“Vëllezërit myslimanë trajtohen shumë keq në Mianmar, i detyrojnë t’i braktisin shtëpitë. Ne duhet të angazhohemi që të shmanget sjellja e tille e padrejtë ndaj tyre. Njëlloj si dhe autoritetet në Mianmar dhe Bangladesh, dëshirojmë të punojmë së bashku, që të shmanget drama e tillë njerëzore”, tha Erdogan.
Ai shtoi se edhe Rohinxhëve, të cilët kanë kërkuar strehim në Bangladesh, u nevojitet ndihmë.
“U thamë autoriteteve në Bangladesh se dëshirojmë të ndihmojmë. Të gjithë popujt myslimanë duhet së bashku të punojnë për parandalimin e dhunës”, tha Erdogani.
Kryengritësit Rohinxha sot shpallën armëpushim njëmujor me qëllim që të dërgohet ndihma humanitare në shtetin federal të Mianmarit, Rakhajn.
Në përleshjet në pjesën veriperëndimore të Mianmarit, të cilat filluan më 25 gusht, jetën e kanë humbur mijëra njerëz, ndërsa rreth 300.000 persona janë detyruar të ikin në Bangladeshin fqinj.
OKB ka deklaruar se grupet e ndihmës kanë nevojë urgjente për 77 milionë dollarë për të ndihmuar të larguarit nga Mianmari. Gjithashtu është theksuar se ata janë duke vuajtur për ushqim, ujë dhe shërbime shëndetësore.
Qeveria e Mianmarit ende nuk iu përgjigj kërkesës për pajtim.