Heqja e kompetencave të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim për procesin e ndjekjes së telekomunikimeve dhe formimi i një Qendre Teknike Operative, posaçërisht për këtë veprimtari, sipas ekspertëve, ka qenë kërkesë dhe nevojë e hershme. Ata thonë se një Qendër e pavarur e cila do të funksiononte sipse dispozitave ligjore, do të pamundësonte keqpërdorimin e përgjimeve për interesa të tjera përveç atyre që parashikohen me ligjin për ndjekjen e komunikimeve. Megjithatë për ish shefin e kontrollit të brendshëm Voisllav Zafirovski, pavarësia e plotë e Qendrës Teknike Operative nuk mund të arrihet me zgjedhjen e Drejtorit të tij nga Qeveria, ashtu siç parashihet në planin për reforma, por vetëm nëse kjo bëhet përmes konkursit publik. Ish ministri i brendshëm Pavle Trajanov nga ana tjetër, propozon zgjedhjen e Drejtorit nga Kuvendi.
Gjithkund ku Qeveria emëron persona të saj, ata janë kuadro partiak. Për këtë ka zgjidhje dhe ai është konkursi publik ku do të paraqiten ekspertë nga grupi i prokurorëve publik, gjykatësve, profesorëve dhe ekspertë të policisë që kanë përvojë shumëvjeçare- tha Voisllav Zafirovski.
Unë propozoj, sepse do të jetë një Qendër shumë e fuqishme, drejtorin ta zgjedhë Parlamenti me mandat 7 vjeçar, me kritere precize se kush mund të jetë drejtor dhe në çfarë kushtesh mund të shkarkohet- tha Pavle Trajanov, ish ministër i Brendhshë.
Ekspertët thonë se politizimi është i pashmangshëm, për aë kohë sa ministri i Brendshëm apo Qeveria, bëjnë emërime kuadrosh partiake. Zafirovski dhe Trajanov në kuadër të reformave të nevojshme kërkojnë bashkimin në një organ të vetëm të Drejtorisë për siguri dhe Kundërzbulim që funksionon në kuadër të MPB-së dhe Agjencisë së Inteligjencës e cila është kryekëput vetëm në duartë e preisdentit të shtetit.
Të bashkohen, Agjencia e Inteligjencës me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërybulim. Kështu do të fitonim një trup të vetëm për siguri dhe kundërybulim i cili do të kishte detyrime të njëjta edhe ndaj institucionit ligjvënës, edhe ndaj presidentit, edhe ndaj kryeministrit- shtoi Voisllav Zafirovski.
Kjo Agjenci për Inteligjencë dhe me praktikën që vepron që është nën kompetencë direkte të presidentit, del jashtë Kushtetutës dhe bën punë që janë në kundërshtim me punën e Agjencisë- theksoi Pavle Trajanov.
Dy ekspertët vlerësojnë se këto janë vetëm një pjesë e reformave që nevojiten në sferën e policisë sekrete, por kjo s’është e gjitha. Zafirovski kërkon që DSK-ja të zhvishet nga autorizimet policore kurse sipas Trajanovit, ky proces nuk duhet të zgjasë më shumë se 6 muaj.
Reforma fillimisht duhet të nisë nga çlirimi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga autorizimet policore që ato kanë. Hapi i dytë duhet të jetë definimi i qartë i kompetencave të DSK-së në drejtim të asaj që të mos ketë dyfishim të kompetencave të BSP-së dhe DSK-së- tha Voisllav Zafirovski.
Sa më shpejt t’i reformojmë, aq më mirë për perspektivat e vendit. Unë mendoj se nuk ka nevojë më shumë se gjashtë muaj që të zgjatet ky proces- përfundoi Pavle Trajanov.
Procedura e kërkesës për ndjekjen e komunikimeve që kalon nëpërmjet Prokurorisë Publike dhe Gjykatës, sipas ekspertëve nuk ka nevojë të ndryshohet por mjafton respektimi i ligjit për të mos u përsëritur keqpërdorimet. Siç njoftoi Alsat një ditë më parë, eksperti evropian Rejnhard Pribe ka propozuar që me qëllim të shmangies së keqpërdorimit të pajisjes së përgjimit, që më herët ka ndodhur masivisht në Maqedoni, qeveria të formojë këtë Qendër Teknike Operative. Procedura e kërkesës për ndjekjen e bisedave telefonike të mbetet e njëjtë por të punësuarit e qendrës të mos dëgjojnë përmbajtjen e bisedave. Drejtorin e QTO-së sipas planit, duhet ta emërojë dhe shkarkojë Qeveria. Mandati i tij parashihet të jetë pesë vjeçar me mundësi rizgjedhjeje. Reforma mund të zgjasë 12 deri në 18 muaj. Në vitin 2015 u publikuan të ashtuquajturat “bomba” politike ose material të përgjuara që ishin shkas për formimin e Prokurorisë Speciale e cila vërtetoi se të paktën 20 mijë shtetas të vendit janë përgjuar nga DSK-ja, në mënyrë të paligjshme, pa miratimin e gjykatës./alsat-m