Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha sot se rinia është pjesa më potenciale e vendit dhe do të përpiqen të ndihmojnë që kjo pjesë elitare e shoqërisë të jetë kontributdhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vend.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi që kishte në kuadër të Muajit të Rinisë, me përfaqësuesit e strukturave dhe organizatave rinore në Kosovë, të Këshillit Qendror të Veprimit Rinor, të Qendrave të Rinisë, të Këshillave të Veprimit Rinor Lokal, me të cilët diskutoi për problemet me të cilat përballen të rinjtë.

Ndër të tjera, ministrja i informoi përfaqësuesit e të rinjve se Ministria është në proces të draftimit të “Strategjisë Kosovare dhe Planin e Veprimit për Rini 2018-2023”, përmes së cilës do të rritet përkrahja për përmirësimin e pozitës së rinisë në jetën ekonomike dhe shoqërore të Kosovës.

Ministrja i inkurajoi strukturat dhe organizatat rinore që të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve në përgjithësi, sidomos për aplikim dhe sigurim të projekteve rajonale dhe evropiane, siç është Zyra për Bashkëpunim Rinor Rajonal (RYCO).

Ndërsa, përfaqësuesit e rinisë vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm të MKRS-së me strukturat dhe organizatat rinore, duke përkrahur edhe edukimin jo-formal.