Nga, Sulejman Mehazi

Duke biseduar me mikun tim S. S. kasabaliun e moçëm të Tetovës për tema e veprime të ndryshme politike, kulturore, kombëtare e shoqërore, më tha: -Hë pse jeni krekosur aq shumë me ato shkrimet tuaja të përditshme, na keni lodhur sytë nëpër portalet e ndryshme shqiptare duke u ankuar e qarë për çdo gjë. Kush i ka fajet për gjithë këtë situatë të përgjithëshme shoqërore e politike shqiptare, mos i kanë fajet kasabalijtë për këtë gjendje të mjerueshme morale, arsimore e kombëtare. Gjatë kohës së monizmit jugosllavë, katundarët na thoshin, ja spiunat e qytetit, bashkëpunëtorë të shkijeve, turkofila, shqipfolës e kombëshitës, çfarë nuk na thoshin. Tani kur pushtetin e kanë në dorë katundarët kush i ka fajet, mos i kanë prapë kasabalinjtë që kurrgjë s’kanë me vete, asgjë në duartë e veta, as qeveri e parti, as drejtësi e shëndetësi, atëherë prej nga ky mjerim e pikëllim. Duke na nënçmuar, neve kasabalijve, tani shihet se keni nënçmuar veten. Duke shpifur për kasabalinjtë se janë spiuna e bashkëpunëtorë të pushtetit e UDB-es, doli e kundërta, se katundarët janë spiuna e bashkëpunëtorë më të mëdhenjë të pushtetit sllavë. Duke na thënë turkofila, ne për inat i dërgonim fëmijët tanë nëpër shkolla shqipe për ta mësuar e për ta mbrojtur gjuhën shqipe nga armiqtë sllavë, kurse ju “patriota” katundarë duke u lavdëruar me shqipen e shqiptarët u shpërngulët nëpër vendet e ndryshme perëndimore për ta harruar fēmijët tuaj shqipen e shqiptarinë. Duke na thënë neve turq-shqipfolës, vetë katundarët u bënë gjermanë-shqipfolës, italianë-shqipfolës, françes-shqipfolës, danez-shqipfolës, suedez-shqipfolës, norvegjez-shqipfolës, anglez-shqipfolës. Duke na thëné, neve kasabalijve se jemi gjuhëshitës e kombëshitës, doli e kundërta, se vetë katundarët duke ua shitur gjuhën e kombin gjermanëve, italianëve, françezëve e të gjitha shteteve europiane u bënë kombëshitës e gjuhëshitës. Jo, jo ju katundarë “patriota” të gjuhës e kombit, mos na gënjeni, se s’bahet e s’rruhet gjuha e kombi në Gjermani, Zvicër, Itali, në vendet skandinave e SH.B.A., po aty ku jetojnë turkofilat shqipfolës të kasabasë.