Presidenti i Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur në ndeshjen kundër Lihtenshtajnit, ndërsa është shprehur optimist edhe për ndeshjen e radhës kundër Maqedonisë.

Ai tha se kundërshtari ishte mjaft i fortë, por kuqezinjtë në fund ia dolën të fitojnë edhe tri pikë të vlefshme.

“Nëse s’do kishim bërë dy gola do thoshin si nuk bëmë një. Asnjë kundërshtar nuk është i lehte. Në qoftë se i ke mundësi të shënosh pse jo. Ndeshjet e shtatorit janë te vështira, sepse është fillim sezoni për lojtarët në klube. Ne nuk jemi skuadër e madhe që të çmontojmë çdo kundërshtar. Duhet të jemi të kënaqur me atë që arritëm. Do të doja një çik më shumë agresivitet në minutat e para. Kur përfundimi është pozitiv nuk ke ç’të thuash. E kanë menaxhuar ndeshjen mirë”, tha Duka.

Ai ka folur edhe për ndeshjen kundër Maqedonisë, më 5 shtator në Strumicë.

“Do të shkojmë për të luajtur futboll dhe do të bëjmë maksimumin për të marrë tri pikë. Nëse do të japim maksimumin dhe nuk do të kemi ngarkesa të tjera, besoj se do të marrim një rezultat pozitiv”, tha Duka.