Ka vazhduar edhe sot protesta e banorëve të lagjes Drenoc të Tetovës, kundër tentimit të komunës për të hapur një rrugë të re. Banorët për dallim nga një ditë më parë, sot janë tubuar para komunës së Tetovës.

“A është kryetarja e komunës këtu? Nëse nuk është ajo këtu s’ka nevojë të futemi brenda, ajo na duhet me atë duam të bisedojmë”.

Pas takimit me banorët e revoltuar, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës njoftoi pezullimin e punëve ndërtimore deri pas zgjedhjeve lokale.

Pas ankesës nga banorët komuna me vendim të kryetares së komunës ka pezulluar punët për hapjen e rrugës në atë pjesë të bllokut urban, deri sa të gjendet një zgjidhje më adekuate dhe më afatgjate – deklaroi Hisen Xhemaili, Kryetar i këshillit komunal.

Por edhe përkundër premtimit të këtillë të komunës, banorët kanë vendosur të mos ndërpresin protestën.

“Kemi dalë të protestojmë që ajo rrugë mos të vazhdoj në mëhallën tonë”.

“Do vazhdojmë deri në fund se nuk bën t`ia lëshojmë dikujt shpinë tonë të na hyj në oborrin tonë”.

“Protesta vazhdon kundër hapjes së rrugës. Ne jemi mbledhur para komunës dhe kemi bë kërkesë dhe nuk do lejojmë të hapet ajo rrugë se ajo rrugë është privat”.

Ndërkohë banorët e Drenocit sot kanë ndërtuar edhe një mur të betonit në shenjë proteste kundër hapjes së rrugës, punët ndërtimore për të cilën filluan një ditë më parë./alsat-m